“Lushnja di si fitohen finalet”, ish-kapiteni Çela: Ju tregoj disa avantazhe për ngjitjen në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2020 | 23:50

“Lushnja di si fitohen finalet”, ish-kapiteni Çela: Ju tregoj disa avantazhe për ngjitjen në Superiore

Në fazën e tretë të kampionatit Lushnja rikuperoi plot 5 pikë ndaj Pogradecit. Para pandemisë verdhejeshilët ishin -4 nga liqenorët, ndërsa tani, kur kanë mbetur edhe 90 minutat e fundit, janë +1. Përballja e fundit rezulton një finale për lushnjarët, pasi do të luajnë pikërisht në fushën e Pogradecit rival, ku u duhet të evitojnë humbjen.

Ish-kapiteni Cela

ÇELA – Ish-kapiteni Gentian Çela, i tërhequr nga futbolli i luajtur më 23 maj 2018, mbetet një nga personazhet sportive më popullore në Lushnjë. Për “Panorama Sport” ai flet për ndeshjen e Pogradecit dhe objektivin sezonal: “Mendoj se Lushnja nuk e ka për herë të parë që vihet përpara situatave të tilla në fund të kampionatit. Në situatë të ngjashme kemi qenë dy herë me Bylisin dhe në një rast ia dolëm me sukses.

Ndaj Pogradecit nuk kemi të bëjmë me një kalim të drejtpërdrejtë. Them se Lushnja duhet ta kërkojë medoemos “play off”- in. Ekipi duhet të jetë i bindur për rezultat pozitiv në këtë transfertë. Lushnja është mësuar me ndeshje shtesë në fund të sezonit, ka një eksperiencë në këtë drejtim.

Dua të kujtoj që në vitin 2008 arritëm të mundnim Kastriotin, një shembull pozitiv. Bylisi dhe Apolonia hynë direkt, ndërsa ne e menduam të pamundur Superioren, por mundëm Kastriotin me penallti dhe u ngjitëm. Në futboll çdo gjë mund të ndodhë, ndaj këmbëngul që Lushnja di t’i kalojë ndeshjet me karakter vendimtar dhe hap pas hapi mund të arrijë Superioren. Skuadra e ka edhe kontingjentin e duhur, ka lojtarë me eksperiencë dhe mund të provojë deri në fund pa asnjë kompleks. Në fillim sigurohet vendi i dytë e më pas dy ndeshjet e tjera.

Vërtet Lushnja mjafton të mos humbë në Pogradec, por të mos harrojmë se kjo skuadër ka sulmin më të mirë me Cankën dhe Mezinin që po shënojnë rregullisht. Kam vënë re se Lushnja ka shënuar në të gjitha ndeshjet e fazës së tretë të kampionatit”, thekson Çela.

TIFOZËT – “Shikoj që te tifozët e Lushnjës ka shumë dëshirë, diskutohet shumë për ndeshjen me Pogradecin dhe ato shtesë. Besoj se ndeshjet e kampionatit të ardhshëm do të luhen me tifozë dhe imagjinoni stadiumin e Lushnjës me një skuadër në Superiore”, u shpreh ish-kapiteni i lushnjarëve, Gentian Çela.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"