Lushnja, debati i plotë në bashki për privatizimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2021 | 15:21

Lushnja, debati i plotë në bashki për privatizimin

Paraditen e djeshme u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Lushnjës, ku ndër të tjera u miratuan edhe buxhetet afatmesme për futbollin. Për vitet 2022, 2023, 2024 klubi i futbollit, veç të ardhurave të veta, do të subvencionohet me 40 milionë lekë (të rinj) nga bashkia, që është aksionerja e vetme e klubit të futbollit. Gazeta “Panorama Sport” sjell të plota diskutimet që u bënë në asamble.

eriselda

YLLI KRAKULLI (anëtar i asamblesë) – “Te pjesa e futbollit unë sugjeroj që kjo shumë që ne akordojmë të jetë më e lartë, për më tepër të merret në konsideratë infrastruktura futbollistike. Te stadiumi dhe tek ambientet. Le ta reduktojmë atë pjesën e pagave dhe t’i përkushtohemi pjesës së përmirësimit të infrastrukturës”.

ERISELDA SEFA (presidente e klubit): “Shërbimi i futbollit është pjesë e shërbimeve, që bashkitë e kanë pjesë të funksioneve të tyre. Ekipi i futbollit që të federohet ka një numër të përcaktuar futbollistësh, që është 25. Duhet të jetë në formën e një shoqërie. Pra sh. a., ashtu si ne e kemi aktualisht. Që të funksionojë shoqëria, patjetër që do një staf. Dhe të gjitha këto… Aty janë parashikuar pagesat e tyre, dietat, grumbullimet e futbollistëve. Nisur jo vetëm nga kërkesat tuaja, por edhe të futbollistëve, të qytetarëve, kryetari i mëparshëm i bashkisë ka miratuar një vendim për rikonstruksionin e terrenit sportiv të Plugut. Shpresojmë të fillojë së shpejti. Është në procedurë prokurimi. Është pjesë e këtij fondi që është subvencionimi nga ana e Bashkisë Lushnjë”.

ERVIN SINA (anëtar i asamblesë): “Unë vazhdoj t’i qëndroj idesë që një ekip që paguhet me para publike e ka të vështirë të gjejë veten në elitën e futbollit shqiptar. Nuk mundet që paratë publike të ndërtojnë një skuadër që të kënaqë shpirtin dhe zemrat e të gjithë atyre, që e duan futbollin në Lushnjë. Këtë mendim e kam të bazuar edhe në eksperiencën e shumë klubeve të tjera në Shqipëri, të cilat paguhen me para publike. Nëse dikush më gjen sot në Superligën shqiptare një model suksesi që vjen si garanci e bashkive, unë tërhiqem. Janë para që vijnë nga aksionerë apo donatorë. Ne mund të bëjmë atë që unë e kam përsëritur gjithmonë. Vazhdoj ta them. Ky ekip që ka katër vjet që qëndron në Kategorinë e Parë, mund të qëndrojë edhe me 100 milionë lekë më pak. Edhe me 150 milionë lekë më pak. T’ua japim fushave. Të bëjmë për vit një fushë. Më vjen shumë mirë që po bëhet një investim në fushën e Plugut. Nëse ne harxhojmë vit për vit 400-500 milionë për një skuadër që qëndron në Kategorinë e Parë, sepse bilanci në fund ky është, qëndruan në Kategorinë e Parë, kaq. Unë më mirë të zbres në Kategorinë e Dytë. Por e di që i lë trashëgimi bashkisë, Lushnjës dhe të gjithë qytetarëve një fushë apo dy fusha më shumë. Edhe stadiumi është duke u rrënuar. Çdo bashki e ka tmerrësisht të pamundur. Hajde të racionalizojmë disa gjëra. Gjëja më thelbësore është kjo: Tani kam nevojë për një gjykim juridik. Unë kam përpara ligjin e sporteve të ndryshuar në 29 korrik të vitit të kaluar. Kur e kam pyetur kryetaren më ka thënë që nuk ka pengesë ligjore për privatizimin e klubit. Në bazë të një afati njëvjeçar, që nga koha e ndryshimit të ligjit për sportin. Neni 8, pika 22 “për kapitalin shtetëror ndryshohet si më poshtë: institucionet publike qendrore dhe vendore, që kanë në zotërim aksione të shoqërive tregtare-sportive, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji i nxjerrin ato në shitje në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga ligji në fuqi. Pas kalimit të këtij afati, institucionet publike qendrore dhe vendore nuk mund të zotërojnë aksione të shoqërive tregtare-sportive”.

ERISELDA SEFA (presidente e Lushnjës): “Me ndryshimet e reja ligjore ne jemi duke i parë dhe fazat e nevojshme ligjore. Është një procedurë që departamenti i zyrës juridike është duke e parë për hapat që duhet të ndjekim ne”.

ERVIN SINA (anëtar i asamblesë): “Doja të dija ku jemi ne? Saranda dhe Pogradeci janë në një fazë më të avancuar. E kanë kaluar edhe në këshill. Viti nga ndryshimi i ligjit po përfundon dhe po mbyllet tashmë”.

ERISELDA SEFA (presidente e Lushnjës): “Departamenti ligjor është duke u marrë pikërisht me këtë procedurë, për të parë të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë që ne duhet të ndjekim. Që ne të mos kemi penalitete”.

ERVIN SINA (anëtar i asamblesë): “Mua më shqetëson pjesa e ngërçit ligjor. Nëse kemi apo jo në fillim të sezonit një ngërç ligjor për klubin”.

GENTIAN NUSHI (nënkryetar i bashkisë): “Nuk ka dalë akoma VKM-ja për procedurën e privatizimit të klubeve. Ky është ngërçi. Me të dalë VKM-ja ne jemi gati për të vazhduar të gjithë procedurën. E para të bëjmë auditimin e kësaj ‘sh. a.’-je, që është gjëja kryesore. Do të thirret kompania audituese dhe do të fillojmë auditimin e të gjithë situatës së dhënies, së privatizimit të aksionit, vlerës së aksionit, sasinë që kemi atje, borxhit që kemi. Shyqyr që nuk kemi shumë! Vlera duhet të jetë e mirë”.

ERVIN SINA (anëtar i asamblesë): “Mund ta dimë ku jemi?”.

GENTIAN NUSHI (nënkryetar i bashkisë): “Rreth 10 milionë lekë. Vazhdon dhe ulet vit pas viti. Ka qenë prioritet edhe pjesa e likuiditetit. Ndërkohë, investimi në fushën e Plugut është brenda 40 milionëve (buxhetit)”.

FERDINANT GJERMENI (kryetar i Këshilli Bashkiak): “Ne duhet të shkrijmë pak ‘akullin’ edhe me FSHF-në. Ne duhet të hyjmë në tentativa me FSHF-në, që me 1-2 ambiente, plus çfarë kemi në dorë të bëjmë vetë”.

GENTIAN NUSHI (nënkryetar i bashkisë): “Ne nuk kemi ‘akull’ me FSHF-në. Jemi të hapur. Ne nuk mund të bëjmë gjëra që mbeten në 3D dhe nuk financohen. Në kontaktet tona kemi bërë aplikimin pranë FSHF-së dhe jemi pjesë e projektit të 100 fushave”.

ERVIN SINA (anëtar i asamblesë): “Jo vetëm Lushnja, janë disa bashki që janë parë nga FSHF-ja. Ca me syrin e nënës, ca me syrin e njerkës”.

GENTIAN NUSHI (nënkryetar i bashkisë): “Atëherë që të jemi ‘fair play’. Pjesa e financimit të 100 fushave është trepalëshe. FSHF-ja, qeveria dhe bashkia. Ne jemi shprehur të gatshëm për të firmosur marrëveshjen trepalëshe. Kur të jetë e gatshme, do të firmoset. Kemi marrë ‘OK’-in e dy partnerëve të tjerë dhe do të jetë transparente”.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"