Lushnja “blindon” formacionin, Haxhiu: Dimë si ta mundim Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2020 | 15:41

Lushnja “blindon” formacionin, Haxhiu: Dimë si ta mundim Besën

Sezoni i ri futbollistik do të nisë vrullshëm, ku për shkak të bojkotit disajavor, skuadrat janë të detyruara që në vazhdim të përballojnë një ngarkesë të madhe, e cila vjen nga ngjeshja e kalendarit. 72 orë pas ndeshjes së turit të parë të Kupës së Shqipërisë, Lushnja dhe Besa do të përballen sërish në “Roza Haxhiu”. Ishin kavajasit ata që kaluan në raundin e dytë të Kupës, kualifikim i cili erdhi nga goli i shënuar në minutën e 117-të.

PARTIZANI LUSHNJA

Nesër, në orën 14:00, është në program takimi i javës së parë të kampionatit të Kategorisë së Parë, për Grupin B. Lushnjarët u eliminuan nga Kupa në kohën shtesë dhe tashmë e gjithë vëmendja e tyre është te ndeshja hapëse e kampionatit. “Si ndeshja e parë e kampionatit, rezultati më i mirë për Lushnjën do të ishte fitorja. Kemi një grup shumë të mirë, me lojtarë të rinj, që punojnë dhe kanë dëshirë për të luajtur. Dëshira për fitore bazohet në atë që kemi një kohë të gjatë që stërvitemi për këtë ditë. Besa është një kundërshtar për t’u vlerësuar, por besoj se do të dimë se si ta mundim. Jemi përgatitur mirë dhe shikojmë nga ndeshja e nesërme”, u shpreh mesfushori organizator Melis Haxhiu për “Panorama Sport”.

SI LUHET NË KAMPIONAT

Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, la pushim disa lojtarë në ndeshjen e Kupës për t’i ruajtur në premierën e kampionatit. Me përjashtim të Mones, që është i dëmtuar në shpatull, pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme. Lushnja mund të luajë me Kaloshin në portë. Për sa i përket mbrojtjes, kamerunasi Boni Valeri pritet të luajë në të djathtë. Në qendër nigeriani Abdulxhabar së bashku me Bashën. Në krahun e majtë kapiteni Musaku.

jhh

Në mesfushë pritet të luajnë Haxhiu dhe Blakçori. Treshja sulmuese pas “pykës” pritet të përbëhet nga Hysa, braziliani Luis da Silva dhe Qoshku. Maja e sulmit do t’i besohet Xekës. Në startin e kampionatit, Lushnja pritet të ketë 7 debutues dhe 4 të rikon firmuar. Një nga shumë debutuesit, sulmuesi Orges Xeka, shprehet: “Shpresoj të debutoj me gol dhe fitore. Jam përgatitur mirë. Isha pushim në ndeshjen e Kupës dhe ndihem mirë para ndeshjes së nesërme me Besën”.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"