Lushnja bën mirë në miqësore, sulmi shënon rregullisht. Mbrojtja drejt konsolidimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2019 | 16:47

Lushnja bën mirë në miqësore, sulmi shënon rregullisht. Mbrojtja drejt konsolidimit

Miqësorja me Orikun ditën e mërkurë ishte e vetmja ku Lushnja nuk arriti të shënojë. Deri tani ka luajtur 6 ndeshje miqësore dhe treguesit janë përgjithësisht pozitivë. Skuadra e trajnerit Gjyla ka barazuar në fushën e Bylisit të Superiores, të Besës rivale në Grupin B dhe së fundi të Orikut, ka mundur 2- 1 Orikun në shtëpi dhe 3-1 Përmetin modest, ndërsa humbja e vetme është ajo me Erzenin në Shijak, 2-1.

lushnja

 

Kjo është edhe ndeshja e vetme ku verdhejeshilët kanë pësuar 2 gola. Në 6 ndeshje, 5 nga të cilat në transfertë, Lushnja ka shënuar 8 gola dhe ka pësuar 6. Pavarësisht ngarkesës stërvitore, sulmi duket OK, pasi përbëhet nga një dyshe “ustallarësh” si Sefa dhe Canka. Problematikën e mbrojtjes trajneri Gjyla e ka përmendur shpesh në fillim, por me lëvizjet e fundit duket se edhe ky repart është stabilizuar. Gati një javë para kampionatit, lushnjarët duket se e kanë situatën në rregull. “Prova gjenerale” do të jetë nesër, kur në stadiumin “Roza Haxhiu” do të luhet miqësorja e kthimit me Besën.

shnja

BAZE

Mesfushori organizator i lushnjarëve, Okeljan Baze, në një prononcim për “Panorama Sport” thekson se ekipi është gati ta nisë me këmbën e mbarë sezonin. “Në opinionin tim, mendoj se jemi në rrugën e duhur. Vijmë nga një fazë përgatitore shumë e mirë, me ritme të larta. Jemi stërvitur mirë dhe mendoj se me afrimet e reja grupi është i konsoliduar. Prandaj them se jemi në rrugën e duhur. Shpresoj që me këto ritme të vazhdojmë dhe ta nisim sa më mbarë kampionatin”, është shprehur Baze.

Numri 10 i lushnjarëve thotë më tej se Lushnja ka bërë gjithçka mirë deri më tani, duke punuar në një ambient ku nuk ka munguar asnjëherë entuziazmi. “Normalisht, kur kthehesh nga një fazë përgatitore, ekipi është pak i ngarkuar. Jemi stërvitur me intensitet, por kemi dalë të kënaqur nga miqësorja me Orikun, pavarësisht se na mungoi goli. E rëndësishme është të bëjmë lojën tonë, atë të ‘shkollës’ lushnjare, me qarkullimin e topit. Jemi entuziastë në këtë situatë para nisjes së kampionatit. Atmosfera është shumë e mirë dhe çdo lojtar që ka ardhur në Lushnjë është përshtatur shumë shpejt”, deklaroi mesfushori 28-vjeçar. Kalendari i Kategorisë së Parë nuk është hedhur ende, ndërsa dëshira e Bazes është që Lushnja ta nisë kampionatin në fushën e saj, para tifozëve lushnjarë.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"