Lushnja, 7 sulmues për t’u ngjitur në Superiore. Gjyla shtrydh ekipin në Përmet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2019 | 11:14

Lushnja, 7 sulmues për t’u ngjitur në Superiore. Gjyla shtrydh ekipin në Përmet

Lushnja kërkon me çdo kusht ngjitjen në Kategorinë Superiore dhe për t’ia dalë kanë menduar që t’i shtojnë alternativat në sulm.

lushnja

Dhe, duhet thënë që nuk kanë marrë pak lojtarë, por plot 7 kanë nënshkruar kontrata sezonale me klubin. Po të shohësh organikën, vëren se ofensiva është reparti më i pasuruar, aq sa Ilir Gjyla të ketë mundësi që për çdo ndeshje të aktivizojë nga dy lojtarë të ndryshëm në majë.

Dashur pa dashur, shtohet edhe konkurrenca. Më i vjetri është kapiteni Fatjon Sefa, që i ka kaluar të 35-tat dhe më i riu Rediol Ademi, që është 20 vjeç. Mesatarja e sulmit të Lushnjës është 27,4 vjeç. Në repartin ofensiv ka një ndërthurje midis lojtarëve të eksperiencës, Sefa, Canka, Allkanjari, të konfirmuarve Ervis Gjyla dhe Mezini dhe të rinjve Ademi e Zhuga. E thënë ndryshe, sulmi verdhejeshil do të qëllojë me “shtatëshe” drejt elitës.

PËRGATITJET – Që nga fillimi i javës, lushnjarët i kanë zhvendosur përgatitjet e tyre në qytetin e Përmetit. Dje, skuadra e drejtuar nga Ilir Gjyla ka zhvilluar dy seanca stërvitore në stadiumin “Durim Qypi” të qytetit jugor. Ngarkesat kanë qenë pa dyshim të larta, ndërsa stafi teknik po punon jo vetëm në planin fizik, por edhe atë tekniko-taktik. Mendohet që në vazhdim të zhvillohet edhe ndonjë miqësore për të parë edhe gjendjen e secilit lojtar.

BAZE – Okeljan Baze është më shumë se optimist për sezonin 2019-2020. Mesfushori për gazetën “Panorama Sport” shprehet se pretendimet tashmë janë fiksuar, ndaj edhe lojtarët dhe stafi janë aq shumë të përqendruar që përgatitjet të shkojnë në perfeksion.

“Jemi shumë të kënaqur me kushtet. Vazhdon puna dhe stërvitja. Jemi me dy seanca ditore. Dihet ajo, që është periudha më e rëndësishme e përgatitjeve dhe është vlerësuar në maksimum nga ana jonë. Lushnja sivjet do të jetë një pretendente me bazë të fortë, për mendimin tim kryesorja për t’u ngjitur në Superioren. Ndaj, edhe synimi është të përgatitemi si duhet deri në fillimin e kampionatit. Këtë vit nuk flasim”, është shprehur mesfushori organizator.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"