Lushnja 10 vite pa humbur në Berat, Gjyla: Ia dalim ndaj Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2021 | 10:55

Lushnja 10 vite pa humbur në Berat, Gjyla: Ia dalim ndaj Tomorit

Lushnja u ka dhënë fund përgatitjeve dhe është gati që të sfidojë Tomorin. Luhet në transfertë dhe vështirësia dihet, e megjithatë ata kanë një “bonus”: statistikat. Verdhejeshilët kanë gati 10 vjet që nuk humbasin në Berat. E fundit herë që e kanë pësuar, përkon me 23 prillin e 2011- ës (në shifrat 2-1). Më pas, kanë regjistruar tri fitore minimale dhe dy barazime. Në të tria rastet që kanë festuar, protagonist ka qenë Mikel Canka, të cilin sot do ta kenë kundërshtar. Lushnjarët do të kërkojnë me patjetër kthesën, edhe pse në këtë 90- minutësh do t’i bëjnë sërish llogaritë pa Vilfor Hysën. Edhe dje është stërvitur i diferencuar dhe rikthimi në fushë kërkon ende kohë.

iLIR gJYLA

TRAJNERI – Ilir Gjyla pret reagimin e skuadrës sot, ndërsa hapur e thotë se nuk mund të diskutohet katërshja e parë e renditjes. Në një prononcim për gazetën, trajneri deklaron: “Mendoj që Lushnja i ka mundësitë të kapë 4-shen e parë. Janë këta djem që kanë bërë ato ndeshjet e mira me skuadra pretendente, sikurse edhe me Egnatian në fazën e parë. Me Besën, në fazën e parë dhe në fazën e dytë, me Tomorin po në fazën e parë, por edhe me Flamurtarin. Kanë bërë disa takime të mira dhe janë të njëjtët. Ka vërtet mungesë përqendrimi dhe eksperience, por nuk mohoj edhe disa mangësi. Ndeshjen e kaluar na mungoi Vilfor Hysa, por nuk do ta kemi as në Berat. Është titullar yni dhe, për të qenë i sinqertë, nuk e zëvendëson dot. Çdo njeri ka pozicionin e vet dhe vendin e vet në ekip, por Hysa është i domosdoshëm për ne. Megjithatë, në këtë transfertë do të udhëtojmë për një rezultat pozitiv”.

MBROJTËSI – Kundërshtari është mjaft i njohur për Lushnjën. Një pjesë e mirë e futbollistëve të Tomorit sezonin e shkuar kanë qenë pjesë e verdhejeshilëve. Një ndër më të spikaturit është sulmuesi Mikel Canka dhe për ta mbuluar atë, lushnjarët i kanë marrë të gjitha masat. Do të jetë Adriatik Basha që do ta ketë këtë detyrë dhe për “Panorama Sport” paralajmëron se do ta mbulojë më së miri. “Jemi përgatitur mirë dhe do të kërkojmë rezultatin pozitiv. I kemi marrë masat për të mbuluar Cankën”, tha qendërmbrojtësi, që dje festoi 22-vjetorin.

VËLLEZËRIT – Vëllezërit Kaloshi do të jenë kundërshtarë sot në Tomori-Lushnja. Arioli do të mbrojë katërkëndorin e verdhejeshilëve, ndërsa Mikeli ka shumë të ngjarë që të jetë në stol te beratasit. Gjithsesi, emocionet do t’i kenë të pashmangshme.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"