“Lumë” ofertash, portieri i Shpresave gati për hapin e madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2021 | 17:40


“Lumë” ofertash, portieri i Shpresave gati për hapin e madh

Portieri po kthehet në një nga emrat më të lakuar të kësaj merkatoje vere. Kontrata me Turbinën i ka skaduar, ndaj gardiani i Kombëtares së Shpresave është vënë nën “lupën” e shumë skuadrave të Kategorisë Superiore dhe jo vetëm.

laroshi

Burime të besueshme brenda klubit cërrikas konfirmojnë se janë disa klube elitare të kampionatit tonë, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që kanë shfaqur interes për shërbimet e 19-vjeçarit. Paraqitjet e mira që ai ka bërë edicionin e fundit me cërrikasit dhe për më tepër që është edhe kontingjent i kuqezinjve të drejtuar nga Alban Bushi, nuk u kanë shpëtuar klubeve të ndryshe.

Edhe pse në një moshë të re, ai ka meritë të veçantë në arritjen e objektivave të Turbinës dhe jo më kot u “gradua” kapiten. E megjithatë, e ardhmja e gardianit është larg cërrikasve. Kategoria e Parë i rri “ngushtë”, ndaj po bëhet gati për hapin e madh në karrierë.

KONTRATA – Me mbylljen e këtij edicioni futbollistik, Vokli Laroshi është zyrtarisht një lojtar i lirë. Për këtë arsye, skuadrat që kërkojnë ta bëjnë të vetin gardianin, janë hedhur direkt në sulm. 19- vjeçari ka milituar për dy sezone në radhët e ekipit të vendlindjes së tij, duke qenë një titullar i padiskutueshëm, edhe pse në një moshë mjaft të re. Pas 36 ndeshjeve me këtë fanellë, gardiani do të nisë një tjetër aventurë.

FAMILJA – Familja është gjëja më e shtrenjtë për gardianin cërrikas dhe ky sukses u dedikohet pikërisht atyre. Mbështetja nuk i ka munguar kurrë gjigantit dhe kjo e ka ndihmuar që të ecë përpara. Tani pritet që ai të konsultohet me ta, para se të marrë vendimin për skuadrën e re ku do të aktivizohet për sezonin 2021-2022.

KONFIRMIMI– “Panorama Sport” ka kontaktuar me portierin për ta pyetur rreth zërave më të fundit të merkatos. Për momentin është duke shijuar pushimet, ndërsa konfirmon se ka pasur oferta. Megjithatë, nuk ka në plan që të nxitohet. Ai falënderon Turbinën për mundësinë që i ka dhënë për të treguar vlerat, pasi falë minutave dhe paraqitjeve me këtë ekip, arriti edhe Shpresat. “Për momentin jam duke vijuar me pushimet dhe nuk mund të flas për çështje konkrete të merkatos. Kam pasur disa oferta si nga Superiorja edhe nga ekipet e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, por nuk kam vendosur ende. Tani të shohim se çfarë do të bëj, pasi ka ende kohë për të vendosur. Unë dua të falënderoj edhe klubin e Turbinës për mundësinë që më dha. Jam munduar t’ia shpërblej sa më mirë të mundem, duke dhënë maksimumin tim në çdo takim. Për të ardhmen të shohim, por them se shumë shpejt do të vendos”, përfundoi portieri i talentuar.

PANORAMASPORT.AL


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/