“Lumë” mungesash kundër Shkumbinit, Agim Canaj: Duhet fitore me çdo kusht!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2022 | 11:46

“Lumë” mungesash kundër Shkumbinit, Agim Canaj: Duhet fitore me çdo kusht!

Lushnja luan sot në Peqin për të vulosur mbijetesën. Verdhejeshilët do të hyjnë në fushë për fitoren, pasi vetëm kështu e sigurojnë qëndrimin pa ndeshje shtesë. Skuadra e drejtuar nga Agim Canaj është vetëm 2 e shkëputur nga zona “play out”, ndaj trajneri i bën të gjitha llogaritë. Në një prononcim për “Panorama Sport” përpara kësaj transferte të fundit, trajneri Agim Canaj u shpreh:

AGIM CANAJ

“Besoj gjithmonë, deri në minutën e fundit. Situata kjo ka qenë, kemi pasur vështirësi, sidomos në shumë ndeshje jashtë. Normalisht, trajneri është i fundit që mendon çdo gjë.

Eksperienca më ka treguar shumë gjëra pozitive dhe negative. Ne jemi të përqendruar maksimalisht në funksion të ndeshjes me Shkumbinin. E respektojmë shumë kundërshtarin, jo pse ne e kemi ndeshjen e fundit.

Shkumbinin e kam drejtuar në tri periudha të ndryshme në Superiore. Kundërshtari nuk ka marrë asnjë pikë në fazën e dytë, por ne do të shkojmë në Peqin të luajmë futboll. Duhet të jemi të kujdesshëm për çdo gjë dhe të marrim maksimumin”. Lushnja ka një “mal” me mungesa.

Alillari, Moqi e Xhymerti e kanë mbyllur sezonin për shkak të dëmtimeve.

Braziliani Hugo da Silva është larguar. Alushi dhe Daci u dëmtuan ndaj Apolonisë dhe nuk janë rikuperuar. Musaku vijon të jetë i dëmtuar. Shqetësime ka dhe për Cankën, por kapiteni do të luajë.

“Kemi disa mungesa. Canka do të jetë në fushë, sepse është një dëmtim që e ka pasur edhe më parë. E kemi ruajtur që të jetë i gatshëm në shërbim të skuadrës.

Hugo da Silva ka pasur problemet e veta dhe klubi e di më mirë këtë. Kemi pasur vështirësi gjatë gjithë kohës, por jemi munduar t’i mbyllim problemet.

Do të aktivizoj ata që janë më mirë fizikisht e psikologjikisht. Do të luajë 90% e skuadrës që ka luajtur gjithmonë, ndonëse i kam stimuluar të gjithë.

Mbase është hera e parë në karrierën time që me çdo kusht i dua tri pikët. Skuadra e ndien presionin, tensionin. Na duhen më shumë futbollistët me eksperiencë, që e kanë mbajtur presionin. Ky është futbolli.

Shohim edhe ndeshje të nivelit të lartë, por ka edhe momente kur skuadra çalon. Unë shpresoj shumë që Lushnja të jetë 100% dhe të marrë maksimumin”, deklaroi trajneri i Lushnjës, Agim Canaj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"