Lukaku vrapon drejt Interit, me… 36 kilometra/orë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2019 | 9:02

Lukaku vrapon drejt Interit, me… 36 kilometra/orë

Po pret me padurim dhe ngulm t’i bash kohet Antonio Kontes dhe të veshë fanellën zikaltër. Ole Gunar Solskjaer i ka bërë të kuptojë se te Junajtid qëndron prapa Markus Rashfordit dhe pavarësisht se e ka grumbulluar me skuadrën në Perth (Australi), ku po zhvillohet faza përgatitore, momentalisht i ka kërkuar të punojë veçmas.

Lukaku

Megjithatë, Romelu Lukaku nuk dorëzohet. Bomberi belg, në fakt po kërkon të qëndrojë në formë optimale dhe në testet atletike ka regjistruar shpejtësinë maksimale prej 36 km/h, e dyta më e mirë në absolut e grupit. Pra, ka nisur vrapin “drejt” Milanos.

METODA – Ndërkohë, dy klubet po diskutojnë për transferimin. Mision i pamundur? Nuk është e thënë, përkundrazi. Sepse në ambientet e Interit filtron optimizëm, edhe për shkak të dëshirës së shprehur nga Lukaku. Jo rastësisht drejtori sportiv zikaltër, Piero Auzilio, fluturoi në Mejfer, Londër, lagjen më të pasur të qytetit, për t’u takuar me drejtuesit e Junajtid: më saktësisht, në rrugën “Stratton”, ku ndodhen zyrat e klubit të familjes Glejzër prej vitit 2011.

Mbledhja është zhvilluar pasditen e djeshme, sipas konfirmimit të mediave italiane. Auzilio është prezantuar me një ofertë zyrtare prej 70 milionë eurosh në total, mes huazimit dhe detyrimit të blerjes. Normalisht, anglezët duhet të japin një përgjigje, që pritet brenda ditëve të ardhshme, si për sa i përket pranimit të shifrës, po ashtu edhe metodës së pagesës. Interi, pra, ka hedhur baza të rëndësishme për atë që shihet si blerja kryesore e merkatos.

STATISTIKA – Jo më kot Konte e konsideron si sulmuesin e preferuar. Duke konsideruar statistikat e 7 sezoneve të fundit të Premier Ligës, sipas agjencisë “Opta”, 26- vjeçari ka qenë i vetmi lojtar së bashku me Sergio Agueron e Mançester Sitit që ka regjistruar shifër të dyfishtë golash. Pra, një garanci në fizik, shpejtësi dhe realizime.

Përgatiti: LEDIO NASE – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"