“Lukaku e zgjodhi Interin me zemër”, trajneri i Belgjikës analizon lojtarët e tij në Milano: Origi është pjekur, De Ketelare…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2022 | 23:23

“Lukaku e zgjodhi Interin me zemër”, trajneri i Belgjikës analizon lojtarët e tij në Milano: Origi është pjekur, De Ketelare…

B si “bukur”, por edhe “B” si Belgjika. Ka disa belgë që kanë bërë e pritet të bëjnë ligjin në Serinë A, e sidomos në Milano. Trajneri i “Djajve”, Roberto Martinez, bën bilancet e para, teksa në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport” nuk fsheh asnjë prej pritshmërive që ka ndaj De Ketelares, Lukakut dhe Salmakersit, rigorozisht në rend alfabetik.

ROBERTO MARTINEZ 1

Nëse ka kaq shumë Belgjikë në Milano, merita keni edhe ju apo jo?

Federata belge prej vitesh po punon në 360 gradë për të formuar një brez që mund të luajë në secilin prej kampionateve elitare të Europës. Për nga forca e zakonit, kultura dhe mendësia, lojtarët belgë kanë aftësi të mira përshtatjeje. Qartësisht në Itali janë shtuar belgët dhe uroj që të përsërisin bëmat e Dris Mertensit.

Prisni një start të zjarrtë duke qenë se Botërori është në horizont?

Janë 14 javë deri në Kupën e Botës dhe për lojtarët ka rëndësi që të kenë minuta në ekipet e tyre. Në këtë aspekt, pozicioni i De Ketelares dhe i Origit ndryshon nga ai i Lukakut. Dy të parët janë në klub të ri, ndërsa Romelu u kthye në shtëpi.

Ju habiti rikthimi i tij?

E njoh mirë dhe nuk më habiti vendosmëria e tij. I dha shumë Interit në përvojën e parë dhe lidhja me interistët nuk u ndërpre kurrë.

Do të ketë ndryshime mes aventurave të tij zikaltër?

Ka ndjekur zemrën dhe jo vetëm projektin. Më shumë sesa objektivat kërkon dashurinë, por sidoqoftë më është dukur i përqendruar dhe gati për të qenë vendimtar si në herën e parë.

Romelu ka dhënë më të mirën me ju dhe Konten. Do të vuajë me Inzagin?

Është sulmues total e nuk do ta ketë probleme skemën sepse nuk ka vetëm një stil loje. Ai di të jetë depërtues, por edhe të angazhohet në duele fizike. Nuk kam dyshime mbi impaktin që do të ketë tek Interi dhe në Itali, pavarësisht trajnerit të ri.

Milani ka marrë rezervën e Lukakut te Belgjika. Si mendoni?

Goditje e saktë sepse është i pjekur dhe për shumë vite ka qenë pjesë e një ekipi të pabesueshëm si Liverpuli. Ndoshta nuk ka luajtur shpesh titullar, por ka vendosur shumë ndeshje. Ai fshihet gjatë ndeshjes dhe befas shfaqet për të goditur. Është gati për Milanin dhe le të dëgjojë shokët që titullin e kanë fituar një herë.

Kureshtje milaniste: A është vërtetë aq i fortë De Ketelare?

Është nga ata që bien në sy e të shtangin për cilësi teknike, plastikë dhe elegancë. Pak lojtarë në moshën e tij kanë teknikën e Sharlit për të goditur nga distanca ose për të dhënë pasimin e fundit.

Për Origin është “gjysmë Haverc e gjysmë Kaka”. Po për ju?

Të shohim fushën dhe jo krahasimet. Rritja e tij ka qenë konstante dhe e kemi shoqëruar të gjithë në kalimin nga U-21 te kombëtarja e madhe. Është i jashtëzakonshëm në pushtimin e hapësirave kur bëhet fjalë për të sulmuar, por di po aq mirë të përshtatet me nevojat e ekipit.

Milanistët nuk habiten lehtë se lojtarë teknikë kanë parë boll…

Jam i bindur se Sharli do të ndjekë gjurmët e pararendësve te Milani.

Po Salmakersin përse e nënvlerësojnë kaq shumë?

Ai është një vlerë e shtuar për ekipin. Ka pasur rritje të shkëlqyer gjatë dy viteve të fundit duke përzier dhuntitë fizike, sepse mbulon hapësira të mëdha fushe, me cilësitë e shkëlqyera teknike. Jemi të bindur se Milani është dhoma e zhveshjes e përsosur për t’u rritur.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"