Luiza Gega ka ngecur në Kenia, reagon presidenti Ruli: Ja kur do ta riatdhesojmë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2020 | 23:12

Luiza Gega ka ngecur në Kenia, reagon presidenti Ruli: Ja kur do ta riatdhesojmë…

Ndër sportet e shumta, që janë përfshirë në kaosin e shkaktuar nga Koronavirusi, është edhe atletika, me gara dhe evente të ndryshme të cilat janë shtyrë apo anuluar. Madje, për shkak të kësaj gjendjeje alarmante, Luiza Gega, e cila dy muaj më parë kishte udhëtuar së bashku me trajnerin Taulant Stermasi drejt Kenias për të bërë fazën përgatitore, vijon të jetë e bllokuar në shtetin afrikan, pasi të gjitha fluturimet janë ndërprerë.

gjergji-770x470

Lidhur me këtë situatë, gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me Gjergj Rulin, presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës. Ruli deklaron se riatdhesimi do të bëhet menjëherë sapo të nisin fluturimet. Ai flet edhe për kostot shtesë të sportistes, ndërsa komenton gjithashtu edhe kalendarin për sezonin.

RIATDHESIMI I LUIZA GEGËS

Ja si shprehet Ruli për kthimin në atdhe të kampiones kuqezi: “Unë kam biseduar për këtë problem me zv.ministrin e Punëve të Jashtme, Agron Taren, të cilin dua ta falënderoj, pasi po bën të pamundurën për ta zgjidhur. Është lidhur me ambasadën tonë në Londër, duke qenë se është kjo ambasadë që e mbulon Kenian për riatdhesimin, por deri tani nuk ka asnjë lajm që të ketë fluturime, sepse në Kenia vazhdojnë të jenë të bllokuara. Në momentin që do të zhbllokohen këto fluturime, atëherë do të bëhet edhe riatdhesimi në Shqipëri. Ministria e Jashtme, Ministria e Sporteve dhe Federata e Atletikës kanë ruajtur komunikim të vazhdueshëm me zyrat përgjegjëse për riatdhesimin.

luiza gega

Edhe KOKSH, nëpërmjet Stavri Bellos, i ka bërë një letër Komitetit Olimpik të Kenias që të krijohet mundësia sa më e shpejtë për kthimin e Luizës, sepse, siç dihet, ajo ka shkuar në Afrikë për llogari të KOKSH-it, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Olimpike. Kështu që, në momentin e parë që do të nisin fluturimit, do të bëhet i mundur edhe kthimi i tyre në Shqipëri”. Ndërkohë, për sa i përket shtimit të kostove, duke qenë se qëndrimi në Kenia është zgjatur, presidenti i FSHAsë thotë: “Ne si federatë kemi vënë në dijeni Drejtorinë e Sporteve në ministri se çfarë ka ndodhur dhe shpresojmë që ministria do të japë autorizim për çdo lloj veprimi, së bashku me Komitetin Olimpik”.

DRITA JESHILE PËR STËRVITJET

“Komiteti drejtues ‘online’ ka përgatitur protokollin, me pikat kryesore të cilat ua kemi dërguar të gjithë trajnerëve dhe shefave të klubeve. Komunikata e dalë së fundmi nga Ministria e Shëndetësisë është e vlefshme edhe për sportet individuale, që zhvillohen në ambiente të hapura. Kështu që, atletët mund të dalin e të stërviten që sot, sigurisht duke respektuar protokollin”, deklaron Ruli.

KALENDARI

Kreu i atletikës shqiptare në fund komenton kalendarin e eventeve që kanë mbetur për këtë sezon: “Federata Europiane, siç dihet, ka bllokuar të gjitha pa një datë, ndërsa mitingjet ndërkombëtare do të zhvillohen nga muaji gusht e në vazhdim. Presidenti i Federatës Europiane, Dobromir Karamarinov, në komunikatën ‘online’, njoftoi se të gjitha kampionatet ballkanike për të rinj dhe të rritur do të shtyhen gjithashtu për në gusht dhe shtator.

Opinion---Luiza--e-lehta-si-puhiza-_TS_16-06-17_8989473734_

Besoj se është kohë e mjaftueshme që atletët të përgatiten për të marrë pjesë në këto veprimtari ndërkombëtare. Ndërsa duhet të zhvillohen patjetër edhe garat kombëtare, sepse nëse nuk mbahen këto veprimtari, atëherë sportistët humbasin të drejtën e trajtimit ushqimor. Të gjitha këto evente do të bëhen në fund të korrikut, për të vijuar më pas në gusht, kuptohet gjithnjë në varësi të kampionateve ndërkombëtare.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"