Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj triumfojnë në Mitingun Ndërkombëtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2019 | 16:52

Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj triumfojnë në Mitingun Ndërkombëtar

Izmir Smaljaj dhe Luiza Gega dolën sportistët më të mirë të aktivitetit në Mitingun Internacional të Atletikës, respektivisht me 1094 dhe 1099 pikë. Për të disatin vit radhazi, ky event u mbajt në qytetin e Elbasanit, me pistën e “Elbasan Arena”-s që ia ofron këtë mundësi edhe për mbajtjen e të tillave gara.

Baku-2015-Luiza-Gega-Izmir-Smajlaj-vetme

Në këto gara morën pjesë gjashtë ekipe: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe San Marino, me rreth 120 sportistë gjithsej, meshkuj dhe femra. Atmosferën festive e prishi disi moti i keq me shi, por gjithsesi garat u zhvilluan pa probleme.

GARAT – Në disiplinën e 100 metrave me pengesa kanë dominuar atletët shqiptarë, si për meshkuj edhe për femra. Ravio Rama e preku finishin me kohën 15.21 sekonda, ndërsa Melisa Sina me kohën 16.88 sekonda. Në 100 metra për meshkuj vendi i parë i shkoi Edis Ahmetit nga Kosova me 11.12 sekonda dhe për femra Elisa Myrtollarit nga Shqipëria me kohën 12.58 sekonda.

Në 800 metra i pari për meshkuj doli sportisti i Kosovës Musa Hajdari, ndërsa për femra Redia Dauti e Shqipërisë. Në garën e 200 metrave spikatën sportistët e Kosovës, të cilët morën edhe vendet e para, Laert Osmani dhe Sara Susuri. Në trehapësh vendin e parë për meshkuj e zuri turku Mert Cicek, ndërsa për femra doli e para Giulia Gasperini e San Marinos. Qlirim Hyseni i Kosovës zuri vendin e parë në garën e 1500 metrave.

Fituesit

Franko Burraj dhe Shpresa Spahiu të Shqipërisë dolën të parët në garën e 400 metrave. Izmir Smajlaj, ashtu siç pritej, doli i parë në kërcim së gjati, ndërsa për femra e para doli Erisa Rrasa po e Shqipërisë. Në 3 mijë metra për meshkuj vendi i parë i takoi Mudjahid Muslimovskit të Maqedonisë së Veriut dhe ashtu siç pritej, për femra e para doli atletja shqiptare, Luiza Gega.

Vladimir Mema – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"