Luiza Gega – argjendi i parë i atletikës shqiptare në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2016 | 19:08

Luiza Gega – argjendi i parë i atletikës shqiptare në Europë

BESNIK DIZDARI

E kam fjalën për Kampionatin Europian të Atletikës së Lehtë. Sepse edhe vetë Luiza Gega dhe paraardhësja e saj e madhe, Pavlina Evro, kanë fituar edhe më parë medalje ndërkombëtare të nivelit të lartë në vrapime për atletikën shqiptare.

Luiza Gega (atjetja ne qender)

Luiza Gega 

Por, ajo e djeshmja e Gegës është medalja e parë në Kampionatin Europian qysh se ka nisur atletika e lehtë në Shqipëri. Si e tillë merr përmasa historike.

Është pra hera e parë në histori që një atlet apo atlete shqiptare ngjitet në podiumin medalist të një Kampionati Europian të Atletikës së Lehtë. Kësisoj, ngjarja është e vetme (unike) për krejt sportin shqiptar.

Gjithnjë e kam fjalën për garat e të rriturve. Sepse për të rinj e të reja Pavlina Evro më 1983 në 1500 metra dhe Mirela Manjani më 1995 në shtizë kanë fituar po medaljet e argjendta në Kampionatin Europian të të rinjve.

13606829_648365465316181_6677637315254152211_nAtletika shqiptare – që është e para që i ka themeluar Shqipërisë një kampionat kombëtar, pra para futbollit, qysh më 1929, më në fund arriti të ketë një atlete e cila bëhet nënkampione e Europës.

Nuk parashikoj se çka do të ndodhë tash e mbrapa, jo vetëm me Luiza Gegën, të cilën me çka po bën për atletikën e lehtë, duhet ta mbajmë me të gjithë të mirat e ta ruajmë fort, por për krejt atletikën e lehtë.

E them këtë se, ndërsa nga Amsterdami vjen ky lajm i mirë, qeveria shqiptare na jep prej ditësh edhe një lajm aspak të mirë duke na thënë se do të ndërtojë një stadium vetëm për futbollin duke e bërë Tiranën – kryeqytetin e vetëm të Europës pa pistë atletike.

Do t’i kthehemi një herë tjetër kësaj teme të trishtueshme, e tash le të përgëzojmë nënkampionen e Europës, Luiza Gega, të garës së 3000 metrave me pengesa, këtë atlete të nivelit botëror që ka Shqipëria e po aq edhe trajnerin e saj plot pasion Taulant Stermasi.

Dhe them të nivelit botëror, sepse mbas turneut atletik të Lojërave Olimpike, Kampionati Europian i Atletikës së Lehtë është turneu më klasik, më i rëndësishëm.

Pra, edhe para Kampionatit Botëror të Atletikës së Lehtë, që ka nisur të zhvillohet vetëm më 1983. Kur Kampionati Europain ka nisur qysh më 1934. Ndërkaq, historia, për të cilën pakkush interesohet në Shqipërinë e sotme, na thotë se në Kampionatin e dytë, atë të vitit 1938 në Paris, ka marrë pjesë edhe Shqipëria.

Dhe çudia tjetër më e madhe është se në këtë kampionat një atlet shqiptar, për ne fenomenal, me emrin Sejfedin Biçaku, ka arritur të jetë midis finalistëve, duke mbetur deri në këtë korrik 2016, i vetmi atlet shqiptar që kishte hyrë në një finale të Kampionatit Europian të Atletikës së Lehtë. Dhe është renditur i 9-ti në garën e trehapëshit me shifrat e larta për kohën: 13,68 metra – një rekord kombëtar të cilin Shqipëria e ka thyer mbas bukur nja 25 vitesh, kohë e Mbasluftës.

Kjo renditje kishte mbetur pra më e larta në historinë tonë deri këto ditë të Kampionatit të Amsterdamit. E barazoi atleti tjetër i yni, djaloshi i talentuar Izmir Smajlaj duke mbërritur finalen për Shqipërinë mbas plot 78 vjetësh po në një garë kërcimi, atë të kërcimit së gjati dhe duke u renditur po i 9-ti sa dhe Biçaku më 1938! Në librin “Ballkaniada” i kam kushtuar një nënkapitull Sejfedin Biçakut të paharrueshëm.

Por nuk do të ndalem me kaq për këtë fenomen të sportit shqiptar, përveç të tjerave një dëshmor i madh i Shqipërisë, i rënë më 1945 në përpjekje kundër regjimit diktatorial që po mbërrinte në Shqipëri, trupin e të cilit për tmerr e kanë ekspozuar për orë të tana në qytetin e Kukësit! Luiza Gega ndërkaq e tejkaloi historinë.

Mbrenda dy ditëve ajo bëri dy gara në këtë Europian. Fitoi baterinë e vet të 3000 metrave me pengesa dhe në finale luftoi deri në metrat e fundit për të artën.

Fati i saj ishte se kishte përballë rekordmenen e Europës të të rejave, Krause të Gjermanisë, por dhe atleten e shquar Kaya të Turqisë. Ishte një garë e plotë taktike, ndoshta në një ditë disi të vështirë të Amsterdamit, por treshja Krause-Gega-Kaya mbeti e bashkuar deri në rrethin (xhiron) e fundit, ku gjermania shtathedhur u shkëput e ndjekur hap mbas hapi nga Gega e Shqipërisë.

Ajo fitoi qartësisht, por Luiza Gega qe po aq dinjiteti i garës për ne sa historike po aq të paharrueshme tek arriti e dyta, medalja e argjendtë. Dhe duke thyer madje edhe rekordin kombëtar të Shqipërisë me shifrat e reja europiane 9.28.52.

Eurosporti që e transmetoi garën për metra të tanë iu kushtua emrit të Gegës, natyrisht edhe për faktin se ishte hera e parë tash gati një shekull atletikë që një shqiptare synonte titullin e Europës. Mbas garës, atletet, të gjitha papërjashtim, u dukën tejet të lodhura, thuajse të gjitha “ranë” aty, mbi pistë mbas finishit, teksa portretet e tyre spikasnin në krejt hijen e një lodhjeje e mundimi të një gare tejet të vështirë, siç janë 3000 metrat me pengesa.

Një garë tejet e vështirë taktike e vrapimit, çka, ndërsa ti ruan ritmin po të vrapimit, befas përpara të del pengesa që duhet kapërcyer dhe që ta cenon pikërisht ritmikën e vrapimit.

Ndoshta edhe më e vështirë bëhet kjo për Luiza Gegën disi trupvogël, por tashmâ e një fiziku solid, një mjeshtre e vërtetë e garave të mesme, e madje edhe të thellësisë.

Ajo është absolutja jonë në 800, 1500, 3000, 5000 dhe 3000 metra me pengesa! Asnjëherë deri më sot Shqipëria nuk ka pas një vrapuese kaq universale dhe kaq të pushtetshme, teksa e vetme sundon gati gjysmën e garave të vrapimeve. Fjalëpakë, e qetë, modeste, sakrifikuese deri në skaj, e talentuar dhe një vullnet të rrallë për t’u stërvitur dhe për të fituar, sot ajo është emblema e ndritshme e sportit modest të Shqipërisë.

Dhe në fund, nuk ngurroi të na dhuronte një episod të denjë për të marrë çmimin europian të “fair play”-ut më të rrallë që ndoshta deri më sot kishte parë atletika botërore.

E pa që Krause tashmâ po fitonte, por diti ta ruante plot forcë vendin e dytë, medaljen e argjendtë, teksa në metrat e fundit ktheu paksa kryet për t’u siguruar se Kaya nuk mund ta arrinte. Mandej, si dhe të tjerat, u përkul mbi pistë si në një pushim qetësues të detyrueshëm për t’u mbushur si të thuash, me frymë, ashtu si dhe të gjitha vrapueset e tjera. Mû në këtë çast u shfaq bukuria e madhe e një gjesti më se kavalaresk.

Kampionia gjermane Krause iu afrua, i zgjati plot mirësi dorën për t’u ngritur dhe për ta uruar qoftë dhe për vendin e dytë, ndërsa Luiza ia puthi dorën që aq miqësisht i ishte blatuar. Ky është sporti. Kjo është atletika, “mbretëresha” prej së cilës praroi kurorën e parë shqiptarja Luiza Gega. Etapa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"