Luis Suarez “kafshon” Valencian, Barça fiton gjysmëfinalen e parë (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2018 | 9:59

Luis Suarez “kafshon” Valencian, Barça fiton gjysmëfinalen e parë (Video)

Barcelona bën një hap të rëndësishëm drejt finales së Kupës së Mbretit. Në gjysmëfinalen e vajtjes, kundër Valencias, katalanasit fitojnë minimalisht (1- 0), ndonëse dominuan përpara tifozërisë së tyre.

suarez11

Teksa Mesi dhe Iniesta frymëzuan lojën e kuqebluve, ishte edhe njëherë tjetër Luis Suarez ai që vulosi suksesin, në pritje për të prerë “biletën” definitive drejt finales, në duelin e kthimit, i cili do të luhet më 8 shkurt, në “Mestalla”.

Valencia gaboi me strategjinë për t’u mbrojtur gjatë gjithë kohës, pasi kjo Barcelonë është e frikshme.

suarez

NDESHJA – Barcelona është e lodhshme, por për kundërshtarin, sepse me zotërimin e saj mbytës, arrin gjithmonë që të gjejë shkëndijën e duhur për të tentuar golin.

Edhe gjysmë-finalja e parë e Kupës së Mbretit me Valencian në këtë mënyrë nisi, aq sa vetëm në 9 minuta lojë ofroi 80 pasime të sakta, kundrejt 20 të miqve.

suarez1

Edhe pse fillimisht djemtë e Marselinjos duket sikur arrijnë të mbyllin hapësirat dhe të mbulojnë shpeshherë duke përdorur forcën ndaj Mesit e Suarezit, është Iniesta ai që frymëzon aksionet e Barçës.

Dy raste flagrante dhe zbritjet në zonë të spanjollit nuk përfundojnë në rrjetë për çështje milimetrash, pasi Luis Suarez nuk arrin ta shtyjë topin në rrjetë siç duhet.

Duke bllokuar Mesin, loja e katalanasve spostohet e gjitha në të majtë dhe pjesa e parë u mbyll pa gola.

mesi

Gjithsesi, në të dytën, edhe pse ritmi është i njëjti, me Barçën që kontrollon, trajneri Velverde vendos të hedhë në fushë Kutinjon dhe me shtimin e forcës sulmuese, hapësirat për t’u mbyllur nga Valencia bëhen më të shumta, por mbi të gjitha, ka më pak markim ndaj Mesit.

Kjo lëvizje çakordon kundërshtarin dhe në të 67-ën, të zotët e shtëpisë gjejnë avantazhin: Alba pason në Mesin në qendër të zonës, merr tre mbrojtës me vete dhe ofron një krosim të butë dhe perfekt për kokën e Suarezit që tund rrjetë.

kutinjo

Barcelona gjen atë që meritonte, për çfarë kishte bërë deri në ato minuta dhe avantazhi e bën edhe më agresive.

Kutinjo i afrohet nga distanca golit të parë katalanas, ndërsa Mesi nis të bëjë “qitje” me portierin kundërshtar, por edhe Alkaser gabon golin e dytë, i cili do ta afronte skuadrën e tij, edhe më shumë me finalen.

Gjithsesi, në fund, edhe ky sukses vlen një hap të rëndësishëm për Barçën, e cila dominoi Valencian, që gaboi duke shkuar në “Kamp Nou”, për t’u mbrojtur.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"