Suarez me dopietë, Anglia thuajse jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2014 | 13:00

Suarez me dopietë, Anglia thuajse jashtë

Suares dhe ZherardMe një këmbë të vetme, në gjendje fizike jooptimale (kishin kaluar vetëm 28 ditë nga operacioni në gjurin e majtë), pa frymën e tij të zakonshme, por është gjithnjë ai: një kampion race që tërheq Uruguain në suksesin me Anglinë. Luis Suarez është matadori në mbrëmjen e Sao Paulos. Një goditje me kokë në minutën e 39-të të pjesës së parë dhe një goditje vrasëse në minutën e 39- të të pjesës së dytë. Asisti i parë është i Kavanit, protagonisti tjetër absolut i ndeshjes. I dyti është… i Xherrardit. Mes dy golave të “El Pistolero”, barazimi i Runit, goli i tij i parë në Botërorin e 3-të. 2-1 përfundimtar e rikthen Uruguain në garën e kualifikimit, ndërsa Anglia me 0 pikë duhet të bëjë tifo për Italinë. Shpresat e kualifikimit të “Luanëve” të Hoxhsonit kalojnë nga rezultatet e “axurrëve”, përndryshe do të rikthehen në shtëpi kokulur, mes polemikave kryqëzuese të mediave ishullore.

URUGUAJI-ANGLI   2:1
Golat: Suarez 39′, 87′ / Rooney 76′
URUGUAJI: F.Muslera, M.Cáceres, D.Godín, Á.Pereira, J.Giménez, C.Rodríguez, Á.González, E.Arévalo, N.Lodeiro (C.Stuani 67′), L.Suárez, E.Cavani. Trajner: Ó.Tabárez
ANGLIA: J.Hart, P.Jagielka, G.Johnson, L.Baines, G.Cahill, S.Gerrard, J.Henderson, R.Sterling (R.Barkley 64′), W.Rooney, D.Sturridge, D.Welbeck (Lallana 71″). Trajner: R.Hodgson
Gjyqtare: Carlos Velasco, Roberto Alonso, Juan Yuste
Kartone te verdhe: Godin 9′

Ndeshja – Një sfidë e gjitha e luftuar, në një turne ku të sulmosh dhe guxosh shpërblehet. Uruguai me Pereiran, Himenezin, Lodeiron, Gonzalezin dhe Suarezin në fushë pas humbjes me Kosta Rikën. Anglia konfirmon formacionin, pavarësisht humbjes me Italinë. Dhe nis më mirë skuadra e Tabarezit, por një goditje e Runit (10′) tremb Muslerën. Uruguai kundërpërgjigjet me një goditje të Rodrigezit. Traversa e Runit me kokë pas gjysmë ore lojë rikonfirmon mallkimin e Botërorit për yllin e Junajtid: e vështirë për një si ai, që të gabojë nga vetëm 20 centimetra. Një kundërsulm i Uruguait pas gabimit të Hendersonit dhe topit të humbur nga Xherrard sjell golin. Lodeiro shërben Kavanin dhe bomberi i PSG-së bën një finte përballë Xhonsonit, duke kalibruar krosimin për Suarez: asisti është gati perfekt dhe sulmuesi i Liverpulit buzëqesh me topin ende pa shkuar në rrjetë. Shpërthen “Arena de Sao Paulo”, ndërsa nga tribuna duartroket dhe Ibra. “El Pistolero” – Pjesa e dytë flet për Uruguain. Hart shpëton mbi vijën fatale. Suarez shpërdoron një rast, ndërsa Kavani një hap larg portierit të Sitit e dërgon topin jashtë stadiumit. Anglia shfaq problemet e saj të zakonshme në turnetë e rëndësishëm, por krenaria se ka humbur ende. Europianët fitojnë metra dhe Runi gabon fatalisht në qendër të zonës golin e barazimit. Pereira humbet ndjenjat pas gjurit të Sterlingut në kokë, por kur mjeku i Uruguait kërkon zëvendësimin, ai zihet me të gjithë dhe rihyn në fushë. Minuta 75: Gonzalez nuk mbyll krosimin tokazi të Xhonsonit dhe Runi nga dy hapa kësaj radhe nuk gabon. Sulmuesi i Anglisë shikon qiellin: goli i tij pritej prej 2006-ës. Por rivënia e Muslerës (85′) devijohet me kokë nga Xherrard dhe përfundon në të djathtën e Suarezit, i cili nuk fal. Festa ka edhe lot. “Seleçion” reziston deri në fund, ndërsa Anglisë i duhet mrekullia.

Shifra dhe Statistika
– Goli i parë i Uejn Runit në Botëror erdhi në gjuajtjen e tij të 29-të në portë pas 759 minutash (2006-2014). Ai barazoi rekordin e Majkëll Ouenit dje, sepse shënoi golin e 40-të me fanellën e kombëtares dje, duke u bërë shënuesi i 4-t më i mirë në histori.
– Anglia i humb 2 ndeshjet e saj të para në një Botëror për herë të parë. – Hera e fundit që Anglia i ka humbur 2 ndeshjet e saj të para në një turne ndërkombëtar ishte “Euro 1988”. “Tre Luanët” humbën edhe ndeshjen e 3-të të Europianit.
– Hoxhson i ka humbur 4 ndeshjet e tij të fundit në Botëror (2 me Zvicrën dhe 2 me Anglinë).
– Luis Suarez goditi vetëm 2 herë portën e Hartit mbrëmë. Të dyja gjuajtjet përfunduan në rrjetë. Snajper! “El Pistolero” shënoi golin e tij të 5-të në Botëror në 7 ndeshje.
– Asisti i Kavanit për Suarezin (goli i parë), ishte i vetmi kombinim mes sulmuesve në pjesën e parë. – Katër kartonë të verdhë dhe 1 të kuq ka marrë Uruguai këtë Botëror, duke qenë skuadra më e padisiplinuar e turneut deri në këto momente.

SuarezSuarez: Ndeshje magjike, tani dua “kokën” e Italisë
Luis Suarez është në “qiellin e shtatë” pas dopietës kundër Anglisë, çka ktheu fuqishëm shpresat e Uruguait për kualifikim. Njeriu i ndeshjes ua dedikon shokëve të ekipit fitoren, sepse sipas tij vrapuan më shumë se çdo herë tjetër, por nuk harron t’i lëshojë mesazhe “kërcënimi” Italisë: “Tani e kanë radhën ata (italianët). Më në fund bota e mori vesh se me ne nuk mund të bëhet shaka”.
Si është të fitosh duelin me Xherrardin?
Nuk ishte duel as me të dhe as me ndonjë lojtar tjetër të Anglisë. Ishte një ndeshje futbolli, ku duhet të luftoja shumë për vendin tim dhe isha disi i pasigurt, sepse vija pas një periudhe aspak pozitive.
A është kjo ndeshja më e mirë me Uruguain?
Nuk di të them nëse është apo jo ndeshja më e mirë, por di t’ju them se jam shumë i lumtur. Jam kritikuar vazhdimisht dhe mendoj se u dhashë një përgjigje të gjithëve.
E kishit menduar se do t’i shënonit dy gola Anglisë?

E kisha ëndërruar prej kohësh një gol kundër tyre, por dy… është thjesht e magjishme.
Cili është plani juaj tani?
Nuk kam asnjë plan. Thjesht dua të pushoj. Edhe ju (gazetarët) duhet të më lini të pushoj…
Ju ka mbetur edhe një ndeshje me Italinë…
E di, italianët janë shumë të fortë, por ne duhet të çlodhemi mirë fizikisht dhe psikologjikisht. Ne ëndërrojmë kualifikimin dhe do luftojmë me çdo kusht për t’ia arritur qëllimit. Nëse mundëm Anglinë, mund të mundim çdo rival tjetër, përfshirë edhe Italinë.
Çfarë mendonit para kësaj ndeshjeje?
Unë vuajta shumë për shkak të dëmtimit, por shpeshherë edhe jam mërzitur për kritika të pamerituara. Të gjithë tani thonë se ishte një fitore fantastike dhe mendoj se ishte e tillë, por harruan menjëherë se si e kryqëzuan në mënyrë të pamëshirshme këtë kombëtare pak ditë më parë. Ndaj edhe fitoren e sotme ua dedikoj të gjithë shokëve të ekipit, sepse vrapuan më shumë se asnjëherë tjetër. Më në fund bota e mori vesh se me ne nuk bëhet shaka.

Tabarez: Treguam se nuk kemi vdekur
E dinte që beniamini i tij nuk do e tradhtonte. “Me këtë ndeshje treguam se nuk kemi vdekur”, – e nis konferencën e tij për shtyp trajneri i Uruguait. “E kishim planifikuar këtë ndeshje, ashtu si ajo shkoi, me një Angli të madhe, por plani ynë funksioni. Për ne ishte vendimtare puna e jashtëzakonshme e Kavanit. Të fitosh me një kundërshtar të tillë është një ndjesi e papërshkueshme. Suarez? Ai është njeriu ynë më i rëndësishëm. Tregoi se është ndër më të mirët në botë. Kualifikimi? Nuk kemi arritur ende asgjë, por pas kësaj fitoreje kemi shans për 1/ 8-at. Kundër Italisë do e provojmë, ndonëse do të jetë shumë e vështirë”, – deklaroi Oskar Tabarez.

“Është i gjithi faji i mbrojtjes”
Gjashtë gola në 6 ndeshje. Ky është bilanci që ka mbrojtësi Fill Xhagielka përballë Luis Suarezit bashkë me derbin e Liverpulit. Mbrojtësi i Evertonit nuk e kupton sesi “El Pistolero” i shpëtoi në rastin e golit të parë. “Jam i zhgënjyer me golat që pësuam. Ne jemi mbrojtësit dhe kemi përgjegjësinë kryesore. E ndjeni nga zëri im. Jemi të gjithë të shkatërruar në skuadër. Nuk kishim fuqi për të bërë asgjë, vetëm shpresonim që Suarez t’i humbiste ato raste. Por, ai nuk fal”, – tha qendërmbrojtësi i Evertonit, i cili mendon se tani “Luanët” kanë vetëm pak shanse për t’u kualifikuar në Grupin D: “Do të shkojmë kundër Kosta Rikës për të marrë rezultatin e duhur, por do të jetë e vështirë”.

Hodgson“Të shkatërruar, na ka në dorë Italia”
Roi Hoxhson nuk e mendonte se ai do të humbte dy ndeshjet e para dhe do i duhej mrekullia me Kosta Rikën dhe fitoret e Italisë. “Jemi më shumë se të zhgënjyer, sepse erdhëm me shpresa të mëdha. Por unë nuk ndihem i tradhtuar nga skuadra. S’e kemi tradhtuar as kombin. Pësuam dy gola, por nuk na dominuan. Zotëruam topin dhe thjesht nuk shënuam. Pas barazimit mendoja se mund ta fitonim ndeshjen, mirëpo në fushë ishte Suarez. Ai shënoi dy gola të mrekullueshëm. I pari mendoj se ishte i një klasi botëror, ndërsa i dyti qe me pak fat, megjithatë ai është i pagabueshëm. Uruguai nxori dy gola nga asgjëja. Ai është pa dyshim njeriu që zgjidhi ndeshjen. Është lojtari i vitit në Angli dhe ndër më të mirët në botë. Jemi të shkatërruar moralisht, por ata e merituan, sepse ishin më të fortë se ne në mbrojtje. Është e vërtetë që, nëse Italia fiton dy ndeshjet e saj ne kualifikohemi, por shanset janë të pakta”, – tha trajneri i Anglisë.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"