Luhet një finale e parakohshme/ Bylisi kampion në shifra, Erzeni bind me sulmin. Ja statistikat…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2022 | 21:45

Luhet një finale e parakohshme/ Bylisi kampion në shifra, Erzeni bind me sulmin. Ja statistikat…

Shtohen “ethet” në Kategorinë e Parë. Java e 17-të rezervon një finale të parakohshme, ndaj e gjithë vëmendja do të jetë e zhvendosur në Ballsh. Bylisi pret Erzenin këtë të shtunë, në një ndeshje që vlen sa i gjithë sezoni. Përballen dy ekipe të investuara dhe rivale të drejtpërdrejta për ngjitjen në elitë.

Erzeni-bYlis-0-1

Një fitore e mundshme e ballshiotëve do të përkthehej ndoshta me llogari të mbyllura për kreun. Zyrtarisht do të nisnin arratinë dhe do të ishin me një këmbë në “Abissnet Superiore”. Nëse aktualisht janë +5 nga skuadra e Nevil Dedes, me 8 pikë më shumë nuk do të kishte shumë histori (edhe pse janë në total edhe 14 javë për t’u luajtur).

Nëse triumfojnë shijakasit, gjithçka do të ndryshonte. Diferencat do të shkurtoheshin me -2 pikë dhe presioni dukshëm do të binte mbi të besuarit e Jeton Beqirit. Edhe pse janë në krye prej startit të këtij kampionatit, garanci nuk do të kishin me vijimësinë.

Ballshiotët kanë edhe një “bonus” më shumë, suksesin e fazës së parë. Kujtojmë se në “Tofik Jashari” e morën ata trepikëshin, falë golit të Andi Hadrojit (që është transferuar te Partizani në këtë merkato).

STATISTIKAT

Bylisi është dukshëm më i avantazhuar se Erzeni. Statistikat flasin për një ekip “kampion” në çdo drejtim, por pas nuk mbeten as shijakasit. Kur vjen puna te golat dhe sulmi, janë ata në avancë. Rrugëtimi i mallakastriotëve është gati-gati perfekt. Janë 13 fitore në total, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje.

Ecuria e Bylis

Rivali i tyre ka dy fitore më pak dhe nga një barazim e humbje më shumë. Nëse ndalemi te golavarazhi, të dyja gjejnë vend për t’u krenuar. Në “Adush Muça” do të sfidojnë njëratjetrën, mbrojtja dhe sulmi më i mirë i kësaj lige. Bylisi numëron vetëm 4 gola të pësuar, ndërsa Erzeni 32 të shënuar. Ballshiotët janë një ekip pragmatist kur vjen puna te golat e shënuar, ndërsa shijakasit nuk kursehen. Të dyja kthehen nga pushimi i pjesëve disi të lodhura.

Nëse kryesuesit nuk kanë asnjë gol nga minuta e 45-të e deri në të 60- ën, ekipi i vendit të dytë të paktën i ka bërë tre gola. “Të zjarrta” priten minutat e fundit. Në harkun kohor të minutës së 75-të dhe të 90- të, që të dyja janë të frikshme dhe dëshmojnë se nuk dinë të dorëzohen. Bylisi ka 8 gola, ndërsa Erzeni 9. Do të ketë edhe një garë “bomberash”, pasi përballë do të vihen Eridon Qardaku dhe Jasmin Raboshta.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"