Luhet ndaj Partizanit, Rrapa jep “recetën”: Ja si ia del Luftëtari në kryeqytet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 21:24

Luhet ndaj Partizanit, Rrapa jep “recetën”: Ja si ia del Luftëtari në kryeqytet

Luftëtari do të përballet të dielën me kryesuesit e Superiores, Partizanin. Një përballje jetike për vetë pozicionin e Luftëtarit në klasifikim, një javë para mbylljes së fazës. Për të kurorëzuar me sukses takimin me të kuqtë, gjirokastritët nën drejtimin e stafit teknik po përgatiten me intensitet, me shpreson e arritjes së një rezultati pozitiv. Oltion Rrapa, mbrojtësi i Luftëtarit, në prononcimin e tij për “Panorama Sport” e pranon shkallën e lartë të vështirësisë që mbart ndeshja me Partizanin, por tregon se si ndalet “demat”.

luftetari rrapaj

“Jemi të sinqertë dhe të vetëdijshëm se ndaj Partizanit do të na duhet të djersitim shumë në fushën e lojës. Partizani nuk është rastësisht në krye të klasifikimit, pasi ka krijuar një grup harmonik dhe me lojtarë cilësorë. Përballë një skuadre të nivelit të tillë kërkohet forcë dhe karakter. Në mbrojtje duhet të tregohemi vigjilent në çdo moment. Cilësitë e lojtarëve sulmues të Partizanit janë të admirueshme, kështu që na del për detyrë të mbrohemi fort, duke mos lejuar hapësira në prapavijën tonë”, tha fillimisht Rrapa.

Përgatitjet- Sa u përket përgatitjeve për këtë takim, trajneri Mezani dhe ndihmësit e tij një vëmendje të veçantë po u kushtojnë lëvizjeve të shpejta të lojtarëve, mosmbajtjes së topit më shumë se duhet dhe presing kur kundërshtari ka topin në kontroll. Për mbrojtësin Oltion Rapa primare në fushën e lojës, pavarësisht kundërshtarit, është grinta dhe shpirti i garës.

“Trajneri Mezani që kur ka marrë drejtimin e skuadrës, më shumë se asgjë tjetër na ka kërkuar seriozitet dhe përqendrim. Nëse me Partizanin do të tregohemi kompakt në veprime dhe harmonik në lojë, atëherë pse jo mos të pretendojmë për rezultat pozitiv. Vetëm me ‘zemër’ dhe disiplinë taktike besoj se do t’ia dalim të dielën me Partizanin”, përfundoi 28-vjeçari Rrapa. Në seancën e djeshme stërvitore, të gjithë futbollistët ishin nën urdhrat e stafit teknik. Rikthimi i Eduart Rrocës është një armë plus për trajnerin Mezani në mesfushë. Mungesa e vetme është ajo e Albano Aleksit,i cili vijon terapinë pas ndërhyrjes në gjurin e djathtë.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"