Luhet Milan-Napoli, Maldini e Ançeloti miq dhe rivalë për… 90 minuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2019 | 21:08

Luhet Milan-Napoli, Maldini e Ançeloti miq dhe rivalë për… 90 minuta

Duhet një vitrinë sa cilësore dhe e madhe për të ruajtur të gjithë trofetë që kanë fituar së bashku Karlo Ançeloti e Paolo Maldini. Dikur shokë skuadre te “Djalli”, e më pas trajner e lojtar.

Paolo-Maldini-@-AC-Milan

Të shtunën kalendari i Serisë A i vendos përballë për sfidën Milan Napoli. Pavarësisht momentit delikat në klubet me detyrat përkatëse, mes Karletos dhe Maldinit apo Milanit, nuk mund të ketë kurrë vend për armiqësi. Rivaliteti do të zgjasë 90 minuta, ndërsa emocionet e një karrierë të jetuar në paralele për shumë vite nuk mund të fshihen. “Kam përjetuar shumë finale, por më e vështira ka qenë ajo e Stambollit”, deklaronte pak javë më parë Maldini. Mendimi shkon menjëherë te finalja e Champions-it e humbur me Liverpulin, kur Ançeloti nga stoli drejtonte ekipin ku kapiten ishte pikërisht Paolo, djali Çezares.

PËRBALLJA – Edhe një sezon më parë Ançeloti ishte në krye të Napolit, ndërsa roli i Maldinit te kuqezinjtë ishte disi më i kufizuar. Sivjet përballja do të jetë më vendimtare sepse për trajnerin do të vendosë një pjesë të mirë të së ardhmes, teksa për drejtuesit do të jetë një test tjetër i vështirë për blerjet e bëra gjatë verës së kaluar. Tekniku duket të ketë humbur “prekjen magjike”, madje edhe në Europë skuadra e tij po vuan, ndërsa ish-mbrojtësi mund të bëjë pak në këto momente për të ndihmuar kuqezinjtë në fushë.

maldini anceloti

Për pasojë, kurrë më parë Karleto dhe Paolo nuk kishin qenë përballë në të tilla kushte, por rasti mund të jetë i volitshëm për të folur edhe për të ardhmen pasi nuk është mister që Maldini ëndërron të rikthejë Ançelotin te Milani. “Cikli i Ançelotit me Milanin ka qenë fantastik. Ishte një ish-shok ekipi, të cilin e kisha mik përpara se ta kisha trajner. Për fat kisha grumbulluar përvojë të madhe dhe mund ta shijoj në maksimum çdo sukses të arritur nga ai grup”, ka nënvizuar në më shumë se një rast Maldini.

FUND I LUMTUR – Në vitin 2009 Ançeloti do të largohej nga Milani për të marrë frerët e Çelsit. Dëshira e parë për trajnerin ishte rekrutimi i Maldinit në rolin e drejtuesit, por Paolo priti thuajse një dekadë për të pasur shansin te Milani. Kuqezinjtë do të jenë përvoja e fundit si drejtues e 51- vjeçarit, të paktën duke marrë si bazë një intervistë të tijën të pak kohëve më parë. Rrugët e dyshes u ndanë dhjetë vite më parë, teksa kujtimi i fundit i lumtur së bashku ishte Champions-i i 2007- ës në Greqi. Sepse pas Stambollit, Milani përjetoi Athinën. Lotët ishin gëzimi në atë rast, sidomos duke kujtuar dramën e dy viteve më parë. Pati një fund të lumtur ai rrugëtim, teksa të shtunën, fundin e lumtur do ta përjetojë vetëm njëri mes dy miqve, që do të jenë rivalë për 90 minuta.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"