Luhet me kartën “Shehi”, ish-portieri do flasë me Osmanin & Co që të qëndrojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2018 | 19:37

Luhet me kartën “Shehi”, ish-portieri do flasë me Osmanin & Co që të qëndrojnë

Skënderbeu mbetet në pozicion aspak të qetë në këtë periudhë, që duket me shumë luhatje për bardhekuqtë. Vendimi i KAS dukshëm që ka shkaktuar tërmet në kampin bardhekuq dhe sigurisht që në të tilla situata, të mbash ekipin nuk është aspak e thjeshtë.

skenderbeu

Një gjë të tillë po e tregojnë mjaft mirë largimet e fundit nga ekipi i Skënderbeut, ku pas trajnerit Ilir Daja nuk ka munguar eksodi i lojtarëve. I fundit në radhë është pa dyshim Gledi Mici, i cili para se të bënte zyrtar divorcin me Skënderbeun në rrjetet sociale, premtoi besnikëri, por që në fund nuk ndodhi kështu.

Me largimin e Lilajt, Micit dhe mbi të gjitha Ali Souesë, që ishte e pamundur ta mbaje në këto kushte, dukshëm boshti i Skënderbeut ka pësuar lëkundje të shumta. Tashmë është koha që të kërkohet edhe një zgjidhje emergjente për të frenuar largimin e veteranëve në këto ditë të nxehta merkatoje.

ZGJIDHJET – Lëvizja e parë e klubit bardhekuq ka qenë e mirëmenduar. Vendosja e Shehit në pozicionin e trajnerit duket se do të jetë çelësi i suksesit për të gjitha lëvizjet që do të bëhen në të ardhmen për ndërtimin e skuadrës. Tashmë nis puna më e vështirë, që do të jetë mbajtja e grupit në një masë të madhe dhe mbi të gjitha me shpenzime të reduktuara.

Shehi

Duke filluar nga këto ditë pritet që drejtuesit të caktojnë takime të reja kryesisht me lojtarët që janë pa kontratë, takime në të cilat do të jetë i pranishëm edhe trajneri i ri i Skënderbeut. Prania e Shehit dhe marrëdhëniet e mira që kishte kapiteni bardhekuq me grupin besohet se do të shërbejnë për të bërë të mundur bindjen e të paktën disa prej titullarëve që të qëndrojnë.

Pritet që të jetë një jave e mbushur me punë kjo për Skënderbeun, e cila do të kërkojë pa dyshim të ruajë pjesën më të madhe të lojtarëve. Duke filluar nga Osmani, Vangjeli, që ende nuk ka mbyllur asgjë në Greqi dhe është në dilemë për të ardhmen, dhe deri te Muzaka, janë lojtarët që pritet të vendosin të ardhmen e tyre nëse do t’i qëndrojnë besnikë Skënderbeut apo do ta braktisin “anijen” pas stuhisë së parë që po kalon në këto 8 vite suksesi.

dinamo kiev skenderbeu radas shehi mbokani

PREZANTIMI – Javën e ardhshme pritet që të jetë momenti ku do të prezantohet zyrtarisht edhe trajneri i ri i Skënderbeut. Ashtu siç pritej, mendohet të bëhet një prezantim në ambientet e “Tropikal Resort”, ku do të jetë vetë presidenti Ardjan Takaj që do të bëjë me dije për të gjithë se në krye të stolit do të jetë Orges Shehi. Portieri prej vitesh është një ndër lojtarët që ka kontribuar shumë për skuadrën dhe tashmë do të ketë një detyrë të vështirë për të mbajtur pjesën kryesore të lojtarëve në ekip.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"