Luhen shanset e titullit/ Longo, kurth me lojë të pistë për të mundur Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2022 | 22:39

Luhen shanset e titullit/ Longo, kurth me lojë të pistë për të mundur Tiranën

Për Kukësin ndeshja me Tiranën është shumë e rëndësishme, pasi nga rezultati i këtij takimi varen në njëfarë mënyre edhe synimet përgjatë këtij edicioni. Një humbje e dërgon diferencën në nëntë pikë me bardheblutë dhe praktikisht merr fund ëndrra për titull.

DIEGO LONGO

Ndërsa një fitore i mban në garë për vendin e parë, ndaj synimet e verilindorëve në këtë përballje janë të qarta: të dalë nga fusha me tri pikë dhe të përsërisë ndeshjen e fazës së parë në Shkodër, duke i shkaktuar edhe humbjen e parë për këtë sezon në kampionat.

“Oreksi” për të pretenduar më shumë sesa Kupat e Europës është shtuar dhe kjo vihet re nga përforcimet që skuadra bëri në merkato. Titulli kalon sigurisht nga Tirana.

“KURTHI” I LONGOS – Pas fitores ndaj Skënderbeut, në Kukës janë duke menduar për të kaluar me sukses përballjen e radhës, edhe pse nuk i pret një ndeshje e lehtë përpara.

Diego Longo e ka përqendruar lojën e tij te qarkullimi i topit dhe me këtë stil do të luajë edhe ndaj Tiranës, por kësaj here me detyra të veçanta dhe më specifike në fushë, duke pasur nga ana tjetër edhe një skuadër agresive.

Duke njohur edhe cilësitë e kundërshtarit, italiani kërkon të mos u japë mundësinë të kenë topin në këmbë, sepse i sheh si rrezik për ekipin e tij. Sa më pak ta prekin topin bardheblutë, aq më shumë do të jenë shanset e verilindorëve për të dalë të fituar dhe këtë gjë që e ka kërkuar me ngulm edhe te skuadra e tij.

DIEGO LONGO

Nga ana tjetër, Longo ka dhënë direktiva që ekipi të tregojë shumë kujdes kur humbasin topin, pasi mund të kapen në kundërsulm dhe të ndëshkohen.

Në këtë rast, mesfushorët apo kushdo që do të ketë mundësinë duhet të luajë edhe “pistë”, duke kryer edhe faulle taktike për të ndërprerë aksionet. Gjithsesi, detyra parësore e kuksianëve është t’u “fshehin” topin kryeqytetasve dhe se sa do t’ia arrijnë mbetet për t’u parë ditën e ndeshjes. Nëse kjo gjë nuk arrihet, atëherë i gjithë “kurthi” i italianit bie poshtë.

EKSPERIMENTET – Mbetet për t’u parë nëse Longo do të bëjë sërish eksperimente edhe në këtë ndeshje, pasi thuajse asnjëherë nuk ka luajtur me të njëjtin formacion dy ndeshje radhazi.

Kjo, edhe për faktin se nuk e ka pasur gjithnjë të gatshëm grupin. Edhe për këtë sfidë sërish nuk do të jetë i plotë, duke llogaritur edhe lojtarë që nuk janë ende në kondicionin e duhur fizik.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"