“Luftojmë për gjithçka, futbolli s’është shkencë ekzakte”, De Lukas: Erdha prej Longos, Kukësi surprizë e bukur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2021 | 14:25

“Luftojmë për gjithçka, futbolli s’është shkencë ekzakte”, De Lukas: Erdha prej Longos, Kukësi surprizë e bukur

Pablo de Lukas është ndër të paktët spanjollë që kanë ardhur në vendin tonë për të luajtur futboll dhe meritë për ardhjen e tij te Kukësi ka tekniku Diego Longo, i cili kërkoi me ngulm bashkëpunimin e tij të tretë me 35-vjeçarin. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, De Lukas jep përshtypjet e para për vendin tonë edhe për ekipin e Kukësit, të cilin ai e konsideron si një familje, ku ambiciet janë të mëdha. Vetë futbollisti e cilëson si një sfidë të re aventurën e tij në vendin tonë, por është nga ata që nuk dëshiron të bëjë parashikime apo premtime, vetëm se kërkon që me punë dhe përkushtim mund të realizohen objektivat. Sa për Shqipërinë, spanjolli ka mbetur i mahnitur nga natyra, duke e konsideruar një vend që po rritet në mënyrë marramendëse, duke i ngjasuar paksa edhe me Rumaninë, vend ku ai ka luajtur më herët.

PABLO DE LUKAS

Pse keni ardhur në kampionatin shqiptar dhe më saktë në Kukës?

Për shkak se doja të punoja përsëri me Diegon (Longon). Në moshën time është shumë e rëndësishme të punoj me njerëz profesionistë. Është një kënaqësi e madhe të punoj sërish me të dhe nëse nuk do të ishte ai, as unë nuk do të kisha mundësinë të isha pjesë e Kukësit.

Si e shihni këtë aventurë të re në karrierën tuaj?

Është një sfidë e re dhe një motiv i ri. Jam shumë i emocionuar të filloj të luaj në Shqipëri dhe të di si është kultura në sport këtu.

Para se të vinit në Shqipëri, çfarë dinit për këtë vend?

Sinqerisht jo shumë, vetëm se është një vend vërtet i bukur, me bregdet të mahnitshëm që jo të gjithë e njohin.

Cilat janë përshtypjet tuaja për Shqipërinë në këto pak ditë?

Ishte me të vërtetë një surprizë, nga ato të mirat, mund ta krahasoja me Rumaninë. Është një shtet, i cili po rritet me shpejtësi marramendëse. Është akoma herët, por do të jetë me të vërtetë një vend i veçantë, jo më vetëm për pushime, por edhe për të jetuar. Pa dyshim që kjo do të dojë kohë për t’u përshtatur.

Po për ekipin e Kukësit sa njohuri kishit?

Edhe për ekipin e dija se ata ishin duke luftuar gjithnjë lart në tabelë vitet e fundit. Mua më pëlqen futbolli dhe mundohem të ndjek çdo ligë pak a shumë.

Si ju është dukur ekipi këto ditë?

Gjithashtu Kukësi është familje para se të jetë një skuadër. Ne jemi një familje, një skuadër e vogël, por me një ambicie të madhe që po rritet hap pas hapi për të shkuar drejt synimeve të mëdha.

Mendoni se ekipi juaj do të arrijë objektivat në kampionat, përfshirë titullin kampion?

Vetëm Zoti ose fati e di, ne jemi këtu vetëm për të punuar çdo ditë dhe për t’u përmirësuar hap pas hapi. E sigurt është që me sukses do të vijë vetëm, por është gabim të mendosh në një afat të gjatë. Futbolli nuk është një shkencë ekzakte. Pas kësaj pandemie duam të kthehemi në normalitet dhe të luajmë para tifozëve tanë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"