“Luftëtarin e shoh të rënë”, ish-sulmuesi legjendar: Kampionati duhet të niste me 5 ekipe
Luan Seiti, “ikona” e gjallë e Luftëtarit mes viteve ’70-’80 është i drejtpërdrejtë në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”. Ai thotë se ky sezon për gjirokastritët do të jetë më shumë se i vështirë.
Madje, Seiti Luftëtarin si asnjëherë tjetër e sheh më shumë se të rrezikuar në objektivin mbijetesë. Arsyet, sipas tij, janë nga më të ndryshmet, gjë të cilat i shpjegon në intervistën ekskluzive.
Luan, janë luajtur 7 javë dhe Luftëtari pozicionohet i 9-ti në klasifikim. Cili është mendimi juaj për pozitat aktuale ku gjendet skuadra?
Të jem i sinqertë, pikët e grumbulluara në këto 7 javë të luajtura nuk më sjellin ndjesi të veçantë. Pse do të thoni ju? Se diferencat mes kryesuesve dhe ekipeve që mbyllin tabelën e klasifikimit për momentin nuk janë shqetësuese. Mua më shqetëson ardhmëria e Luftëtarit pas merkatos së janarit.
Çfarë doni të thoni më shumë?
Dua të them se lojtarët e rinj, pa eksperiencën e mjaftueshme, kanë bërë mirë dhe janë për t’u admiruar. Por, të mos harrojmë se janë luajtur 7 javë dhe asgjë më shumë. Bylisi, Vllaznia, Teuta e ndonjë tjetër kryeson në këtë fillim sezoni. Pakkush e kishte besuar, por futbolli ky është. “Ç’të mbjellësh do korrësh”.
Çfarë nënkuptoni me këtë fjali të fundit?
Jo. Unë që kam luajtur vite më parë, por të sotmit (lojtarët) janë të ndërgjegjshëm se kur ke para një stimul, e ke më të lehtë për të mbajtur me personalitet fanellën e skuadrës. Sot futbolli është biznes dhe lojtarët kanë të “drejtën e Zotit” të marrin hakun. Në këto pozita, them se Luftëtari do ta ketë të vështirë qëndrimin në Superiore. Nuk më lind e drejta të paragjykoj askënd dhe të bëj rolin e të paditurit, por situatat financiare janë të atilla për të qenë skeptik.
Në opinionin tuaj, si e komentoni ecurinë e Luftëtarit në shtatë javët e luajtura?
Rezultatet i kanë dhënë të drejtë javët e fundit. Ndërrimi i stafit teknik në harkun e tri-katër javëve të para pa dyshim që s’ka ndikuar për mirë. Trajneri Marantas dhe Novi, me çfarë kam parë në fushë, këtu në Gjirokastër dhe në ndeshjet e transmetuara në televizion, kanë bërë punë të mirë dhe profesionale.
“Me brumin që ke në magje, atë bukë do gatuash”. Për të mos e thënë ndryshe me “një kilogram miell sa petulla do bësh”. Me këtë dua të them se pavarësisht pikëve të humbura, në fund të 90 minutave të lojës së rregullt, djemtë e rinj meritojnë vlerësim.
Cila është pika më e fortë e Luftëtarit në këto javë?
Mbrojtja në javët e para nuk bindi, por me kalimin e javë sikur po e merr veten dhe po bëhet më solide. Nga ana tjetër, duhet të pohoj se sulmi është mbrojtja më e mirë. Për mua, një sulmues i vetëm si Fili s’mund të bëjë më shumë se ç’ka bërë. Sezonet e fundit diferenca me një pikë bëri që skuadrat të luajnë në Kategorinë e Parë. Këtu e kam fjalën për Vllazninë dhe Tiranën, dy nga emblemat e ndritura të futbollit tonë.
Luan, e fundit pyetje për ju. Ku e shihni Luftëtarin në fund të edicionit aktual?
Me mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet e shtatë javëve të deritanishme, Luftëtarin e shoh në një kategori më poshtë.
Pse?
Diferencat aktuale në klasifikim nuk të bëjnë optimist. Skuadrat kryesuese janë të parat që kanë filluar stërvitjen në kohën dhe momentin e duhur. Për mua si luajnë, Partizani, Kukësi, Tirana, Teuta, Vllaznia duhet të ishin në garë. Një kampionat me pesë skuadra do t’i bënte mirë futbollit shqiptar.
Federata këtë gjë duhet të bënte. Të vendoste në garë skuadrat që kishin nisur përgatitjet në kohën e duhur dhe jo të bënte pjesë të garës skuadra me dy-tri apo dhjetë ditë përgatitje. Ndaj, them se Luftëtari do ta ketë të vështirë qëndrimin në Superiore. Megjithatë, merkatoja e janarit për Luftëtarin sezonet e fundit ka rezultuar e dobishme. Të shpresojmë dhe të besojmë deri në fund për një Luftëtar të Superiores zezonin e ardhshëm futbollistik.
Si e shihni ndeshjen me Bylisin?
Të vështirë. Jo të pakalueshme. Kundërshtari është i fortë, për vetë faktin se ka ruajtur bërthamën e sezoneve të fundit dhe për më shumë ka një trajner strateg. Çdo pikë e humbur në shtëpi është një minus në fund të sezonit.
Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"