“Luftëtarin e morëm me një “mal” me borxhe”, rrëfimi i drejtorit Dadaj: Ja pse zbritëm nga kategoria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2020 | 18:40

“Luftëtarin e morëm me një “mal” me borxhe”, rrëfimi i drejtorit Dadaj: Ja pse zbritëm nga kategoria

Artur Dadaj, drejtori sportiv i Luftëtarit, ka reaguar pas deklaratës së dhënë nga ish-shefi i klubit, Gentian Nora, dhënë për mediat para disa ditësh, ku dështimin në këtë sezon ai ua faturonte drejtuesve aktual. Drejtori Dadaj, fillimisht, reagimin e tij për Norën e nis kështu:

artur dadaj

“Në radhë të parë mikut tim Nora i uroj të jetë mirë dhe me shëndet atje ku është në Amerikë dhe të shohë punën që bën atje. Me këtë rast dua t’i kujtoj Norës se harron që e lanë klubin me një ‘mal’ me borxhe dhe vetëm pak ditë para braktisjes së skuadrës njoftuan se kishin kapitulluar.

Në ato kushte, ne si drejtues e kemi pasur shumë të vështirë për të bërë merkaton në verë dhe për më shumë atë të dimrit. Më duhet t’i kujtoj Norës se si i bënin kontratat dhe sa fituan nga shitja e lojtarëve. Ndërsa ne ç’mund të bënim më shumë për dy javë në dispozicion, të formatonim ekipin apo të merreshim me borxhet që lanë pas drejtuesit e mëparshëm.

E keqja më e madhe ishte merkatoja e dimrit, të cilën e bëmë për dy orë. Borxhet që Luftëtari u kishte lojtarëve e bllokuan merkaton. Ne bëmë shlyerjen e detyrimeve për lojtarët që kishin fituar gjyqin dhe hymë në merkato në limite”.

Artur Dadaj dhe Grigor Tavo, dy financuesit e Luftëtarit

RIKTHIMI NË SUPERIORE – Luftëtari pas katër sezonesh në elitën e futbollit shqiptar rikthehet në Kategorinë e Parë, pa dyshim në një “fushë të minuar” referuar egërsisë dhe luftës sportive në kësi nivelesh. Që Luftëtari të zërë vendin që i takon i duhet punë, seriozitet dhe mbi të gjitha mbështetje financiare.

“Sot është e vështirë që të ringjitesh në Kategorinë Superiore, këtë gjë Nora besoj se e di dhe e kupton mirë. Është koha që Nora, si ishdrejtues, dhe të tjerët të jenë krah skuadrës dhe jo të merren me të shkuarën. Pyetja është çfarë se do të bëjmë për të ardhmen e afërt dhe të perspektivës. Aktualisht do të ruajmë grupin e skuadrës, të promovojmë të rinjtë e perspektivës dhe të mos nxitohemi në merkaton e verës. Rikthimi në Superiore do të jetë i vështirë në fundin e sezonit të ardhshëm, por jo i pamundur”, përfundoi drejtori sportiv i Luftëtarit.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"