Luftëtari vendos rregulla të reja, lojtarët firmosin klauzola për menaxherët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2017 | 17:58

Luftëtari vendos rregulla të reja, lojtarët firmosin klauzola për menaxherët

Menaxherët, në të mirë dhe në të keq. Te Luftëtari i sezonit të fundit shpërthimi i disa lojtarëve ka bërë që ofertat të jenë të shumta, por si përfundim përfshirja e shumë menaxherëve në bisedime direkte me lojtarët, e më pas me klubin, më tepër duket se i ka prishur punë Luftëtarit.

Luftetari

Klubi gjirokastrit ka marrë një vendim, nisur nga ajo që ka ndodhur me futbollistët në merkaton e janarit dhe të verës. Është vetë drejtori sportiv i Luftëtarit, Gentian Nora, i cili konfirmon për “Panorama Sport” paktin që është bërë zyrtarisht me futbollistët.

“Me paraqitjen e sezonit të kaluar që bëri Luftëtari, ishte normale të vinin oferta në klub për shumë lojtarë të ekipit. Disa nga këto oferta nuk ishin aspak serioze dhe kanë ngelur në biseda tavolinash. Ka pasur të tjera, të cilat nuk ishin të kënaqshme për sa i përket vlerës që është ofruar.

Sa i përket Dejvi Bregut dhe Kristal Abazajt, më duhet të sqaroj se, nëse dikush flet në telefon me lojtarët dhe ndonjë pjesëtar të klubit, këto nuk mund të quhen oferta zyrtare, por thjesht kohë e humbur. Persona të ndryshëm janë përfshirë në bisedime me lojtarët tanë për të realizuar transferta. Prandaj, po bëjmë diçka të qartë se bisedimet nga ky moment për çdo futbollist, do të hapen vetëm nëse në adresën elektronike të presidentit apo timen do të ketë një ofertë zyrtare.

Luftetari

Asnjë menaxher nuk ka të drejtë të komunikojë me lojtarët tanë. Ju bëj me dije se futbollistët e Luftëtarit kanë firmosur klauzolën e vendosur, që nuk u lejohet pa miratimin e klubit të përfaqësohen nga një palë e tretë. Deri më sot kemi bërë një sy qorr, por nuk tolerojmë më, sepse kjo e dëmton klubin dhe nuk është serioze.

Natyrisht, që të kuptohemi, ne si klub ankohemi vetëm për ata menaxherë që ndikojnë në shkeljen e rregullores. Luftëtarin nuk e ndërtoi asnjë menaxher, ishte projekti ynë që me sakrifica e kemi sjellë në këto nivele. Nëse lojtarët tanë kanë firmosur kontrata përfaqësimi nga menaxherë pa lejen tonë, kanë shkelur rregullat. Tani është momenti që klubi të përfitojë nga puna e tij”, deklaroi Nora.

Tomor Shehu

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"