Luftëtari thyen Kamzën, sherr mes Ramadanit dhe Frashërit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2016 | 11:29

Luftëtari thyen Kamzën, sherr mes Ramadanit dhe Frashërit

Pasi mposhti tri ekipe të Kategorisë Superiore (Vllaznia, Korabi dhe Partizani), Kamza ngeci dje ndaj skuadrës së rikthyer në elitën e futbollit shqiptar, Luftëtari.

13900341_1079534922125665_1468403166909824322_nNdryshe nga ndeshja e kaluar, kur skuadra e Bledar Devollit ka dominuar me lojë dhe ka qenë e mirëvendosur në fushë, duke sulmuar me një rrjedhë logjike, dje ndaj Luftëtarit diferencën e bëri freskia fizike e gjirokastritëve.

Bluzinjtë e drejtuar nga serbi Mlladen Milinkoviç përfituan nga disa gabime në mbrojtje të Kamzës, duke shënuar tre gola, nga ku i pari ishte spektakolar.

13939296_1079570185455472_553762825800251892_n

Protagonist për gjirokastritët u bë Eduard Rroca me një dopietë, ndërsa golin tjetër e shënoi talenti vlonjat, Dejvi Bregu.

Në fushë për bluzinjtë ishte edhe afrimi i bujshëm i merkatos, Silas Santonjo, i cili tregoi cilësi, duke bërë diferencën. Lojtarët e Luftëtarit ishin më kërkues, sidomos në kapjen e topit të parë, duke bllokuar sulmuesit e Kamzës.

Devolli kishte hedhur në fushë një formacion me disa ndryshime të detyruara, pasi lojtarë titullarë si Sefa, Nimani dhe Boci kanë pasur probleme dëmtimesh.

Në minutën e 23-të, pas një kundërsulmi, është Rroca që realizon një supergol me një goditje fluturimthi në hyrje të zonës. Pjesa e parë mbyllet 0- 1 për Luftëtarin, ndërsa e dyta nis me gol për Kamzën. Rezi barazon pas një krosimi perfekt të Kolecit.

Por, 4 minuta më pas është Rroca që realizon edhe golin e dytë, pas kombinimit me Abazajn dhe Bregu. Më pas, futja e Lames në fushë gjallëron së tepërmi sulmin e Kamzës, por në një kundërsulm, Bregu realizon golin e tretë për gjirokastritët.

Gjithsesi, Kamza arrin të shkurtojë diferencën me Lamen dhe gjithçka mbyllet me shifrat 2-3 për Luftëtarin e Gjirokastrës.

Përplasja

Në minutën e 37-të, Behar Ramadani i Luftëtarit ndërhyn rëndë ndaj Erlis Frashërit të Kamzës. Lojtarët pas këtij momenti konfliktuohen me njëritjetrin, ndërsa edhe të tjerë futbollistë përfshihen në këtë zënkë. Megjithatë, gjithçka zgjidhet shpejt dhe pa probleme, pas ndërhyrjes së stafeve respektive.

Loja rifillon normalisht, në një kohë që takimi u ndoq nga afro 400 tifozë në stadiumin e Kamzës. Ra në sy prania e kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, si dhe e presidentit të klubit, Naim Qarri.

Nuk kanë munguar as tifozët gjirokastritë, kryesisht ata me banim në Tiranë, të cilët ishin kuriozë për të ndjekur ekipin që do të jetë këtë vit në Superiore.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"