Luftëtari “studime” për Europën, trajneri fikson titullarët për ndeshjen e parë ndaj Ventspils

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2018 | 20:27

Luftëtari “studime” për Europën, trajneri fikson titullarët për ndeshjen e parë ndaj Ventspils

Luftëtari i ri, skemë e “vjetër”. Gjirokas tritët nuk dalin dot nga roli ose më saktë nga skuadra që ka prodhuar spektakël në dy sezonet e fundit në Kategorinë Superiore. Edhe në Europë do të debutojnë me variantin 4-2-3-1, i cili konsiderohet si më i përshtatshmi edhe pas ndryshimit të trajnerit. Edhe slloveni Millosh Kostiç do t’i besojë së njëjtës skemë, por me ndryshimin që kërkon një ekip më agresiv dhe më të vendosur në fazën mbrojtëse.

Në Letoni ndaj Ventspils do një skuadër që të nervozojë kundërshtarin, duke mos i lënë hapësira. Pritet një Luftëtar i kujdesshëm, që do të kërkojë të godasë përmes kundërsulmeve. Tashmë formacioni nuk ka më dilema, teksa në portë do ta nisë kroati Hrvoje Bukovski, i cili debuton me fanellën bluzi. Ndërsa mbrojtja me katër do të përbëhet nga Liçaj në të djathtë, Rapa dhe boshnjaku Janiçiç në qendër, si dhe braziliani Xhekson në të majtë. “Digat” para mbrojtjes janë të zakonshmit Aleksi dhe Ramadani. Në rolin e fantazistit debuton shkodrani Erjon Vucaj, ndërsa krahët e sulmit do të përbëhen nga Bregu në të majtë dhe serbi Milosavljev në të djathtë. Në majë do të vendoset i zakonshmi Vasil Shkurtaj.

luftetari

STËRVITJA

Trajneri Millosh Kostiç mbetet i vendosur për të përmirësuar dobësitë e konstatuara në katër miqësoret e luajtura në tokën sllovene. Për gati një orë, stafi teknik i Luftëtarit e nisi me analizë teorike, teksa nëpërmjet monitorit vëzhgoi deri në detaje defektet e konstatuara në ndeshjet miqësore, por gjithashtu u ndoqën edhe takime të fundit të Ventspils. Ndërsa seanca e pasdites është fokusuar në lojën me top. Fillimisht Kostiç e ka “copëzuar” skuadrën në pesë grupe me nga katër lojtarë. Qëllimi i këtij ushtrimi kishte të bënte në dhënien e topit me pasin e parë. Pas 10 minutash kuadrat, trajneri Kostiç e ndau kontingjentin e lojtarëve në dy skuadra me nga dhjetë lojtarë. Kostiç aplikoi një tjetër mënyre stërvitje nga të zakonshmet.

Ai preferoi që bashkë me dy ndihmësit e tij Botonjiç dhe Kolcidhas të fokusohej te nisja e topit të gjatë nga goditjet standarde. Kjo bëhej jo pa qëllim sepse letonezët e kanë armën e tyre më të fortë. Në dhjetëshen e parë bënin pjesë Liçaj, Rapa, Janiçiç, Xhekson, Aleksi, Ramadani, Vucaj, Bregu, Milosavljev dhe Shkurtaj. Gjithçka niste nga goditjet standarde, ku në ndihmë të mbrojtësve ishin edhe lojtarët shtatlartë si Shkurtaj apo edhe Ramadani që lufton mirë në ajër. Trajneri slloven i Luftëtarit e ka vëzhguar me detaje kundërshtarin, madje ka qenë në këtë periudhë dy herë në Letoni, duke ndjekur ndeshje të Ventspils, si në kampionat, ashtu edhe në Kupë.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"