Luftëtari, sot vendoset për skuadrën e sezonit të ri. Priten vendime të rëndësishme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 9:23

Luftëtari, sot vendoset për skuadrën e sezonit të ri. Priten vendime të rëndësishme

Luftëtari nis sot punën me takimin mes drejtuesve dhe lojtarëve. Pas këtij takimi do të kuptohet nëse ekipi gjirokastrit do të jetë kalimtar në Kategorinë e Parë apo jo. Presidenti Bekim Halilaj, stafi teknik dhe lojtarët do të ulen në një tryezë të rrumbullakët. “Në orën 10:00 kemi lënë takimin me presidentin, lojtarët dhe ne stafi. Në këtë mbledhje do diskutohet për vazhdimësinë”, u shpreh dje shkurt Novi për “Panorama Sport”. Pas takimit të sotëm pritet të mësohet emri i trajnerit të ri, pasi Novit i ka përfunduar kontrata. Nuk dihet, nëse do të vazhdojë ta drejtojë Luftëtarin apo drejtuesit do preferojnë një emër tjetër.Futbollistet e Luftetarit

KALLUCI – “Mjeshtëri i Sportit”, Theodhori Kalluci, është një ndër të shumtit e Luftëtarit të viteve të lavdishme që vuan rënien e bluzinjve në Kategorinë e Parë. “Ajo që u bë, nuk zhbëhet. Të analizosh dështimin e Luftëtarit duhet kohë, megjithëse unë dhe kolegët e mi për gazetën tuaj kemi folur shpesh. E rëndësishme është që gjërat të ndryshojnë për mirë. Kategoria e Parë është një Superiore më vete. Sa nuk është vonë, trajneri Novi, për të cilin gjykoj se duhet të vazhdojë, apo dhe dikush tjetër, duhet ta grumbullojë ekipin.

Të mos gjendemi në situatën e sezonit të vjetshëm. Trajneri dhe drejtori sportiv të gjejnë lojtarë cilësorë për skuadrën e duhur. Fjala merkato është fjalë e madhe, por të bësh merkato nuk do të thotë të afrosh numra, duhen lojtarë për rolet ku Luftëtari çalon. Drejtuesit e klubit duhet të jenë pranë halleve dhe shqetësimeve të lojtarëve. E them këtë, pasi në fushë luajnë lojtarët dhe si të tillë kanë nevojë për mbështetje financiare”, tha Kalluci.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"