Luftëtari, rikthehet Lika: Jam gati ta ndëshkoj Laçin, nuk e kemi humbur shpresën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 12:51

Luftëtari, rikthehet Lika: Jam gati ta ndëshkoj Laçin, nuk e kemi humbur shpresën…

Luftëtari nuk e ka luksin për t’i lënë jashtë titullarët dhe pas pezullimit të Gresild Likës dhe Erald Hysenit për shkaqe disiplinore, lojtarët menjëherë janë rikthyer të gatshëm për trajnerin e ri, Neritan Novi. Ky i fundit do të bëjë debutimin në pankinën bluzi të shtunën ndaj kurbinasve dhe pritet të ketë një grup të plotë në dispozicion. Atmosfera në ekip duket optimiste pas ndryshimit të trajnerëve, teksa Novi është munduar të injektojë te futbollistët besim, ndërsa ka kërkuar më tepër grintë. 

lika me logo

 

Ndërkohë, sulmuesi 22- vjeçar, Lika, i cili është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës me tre gola, shpreson që ndaj Laçit të shënojë dhe skuadra t’i rikthehet fitores. Në një bisedë për “Panorama Sport”, i riu nga kryeqyteti foli edhe për masën disiplinore që kishte marrë klubi, teksa mungoi në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë. “Pa dyshim që u ndjeva mirë në momentin kur trajneri Neritan Novi më komunikoi heqjen e masës së dënimit. Është e logjikshme që e falënderova dhe njëherazi i premtova se do të jem gjithnjë i gatshëm për skuadrën”, theksoi fillimisht Lika për të treguar më pas edhe arsyen e dënimit. “Në fundin e ndeshjes me Flamurtarin nuk e pranova me qetësi zëvendësimin dhe në bazë të rregullores së brendshme të hartuar nga klubi, u ndëshkova. Megjithatë, kjo i përket së shkuarës. Jam i përqendruar për të bërë më të mirën për skuadrën në ndeshjen e radhës”, deklaroi sulmuesi.

gresild lika

NDESHJA – Situata në klasifikim e Luftëtarit është e pashpresë për të mbijetuar në Superiore, por megjithatë lojtarët kanë një motiv për të vazhduar garën, pasi duan të afirmohen në elitë. “Si të gjithë lojtarët, veçanërisht sulmuesit, do të dëshiroja të shënoja sa më shumë gola. Këtë dëshirë e kam edhe për ndeshjen me Laçin, gjithnjë nëse trajneri do të ma besojë vendin e titullarit. Duhet të besojmë deri në fund te mbijetesa. Na duhet të përmirësohemi javë pas jave, për të grumbulluar sa më shumë pikë. Jemi ekip i ri dhe energjitë s’na mungojnë, prandaj dhe besojmë tek aftësitë tona”, përfundoi Lika. Ndërkohë, dje Luftëtari kreu seancën e radhës në fushën me bar sintetik, teksa të gjithë lojtarët ishin në dispozicion të Novit.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"