Luftëtari përballë Teutës, Lamçja prenoton golin si “ish”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2017 | 14:28

Luftëtari përballë Teutës, Lamçja prenoton golin si “ish”

Për Luftëtarin e drejtuar nga Hasan Lika nuk ka kohë për të humbur. Edhe pse e diel, gjirokastritët kanë ditur të sfidojnë reshjet e shiut, teksa kanë vijuar përgatitjet në terrenin sportiv Fusha e Vjetër për takimin e së mërkurës ndaj Teutës. Një përballje që kthen pas në kohë dhe ish-in e Teutës, Eri Lamçja.

Lamcja feston pa fanelle

Në prononcimin e tij për “Panorama Sport” elbasanasi, aktualisht pjesë e Luftëtarit, lidhur me vazhdimësinë e skuadrës, si dhe dëshirën e tij për të dalë te goli pikërisht në përballjen ndaj Teutës, u shpreh:

“Ndaj Teutës e shikoj si një ndeshje të vështirë, sepse kam qenë pjesë e atij ekipi para se t’i bashkohesha Luftëtarit. E di mjaft mirë që janë një ekip i fortë, për më tepër kur në krye kanë profesor Maganin, të cilin e vlerësoj. Duke parë impenjimin e ekipit në stërvitje, ku të gjithë futbollistët japin 100% e tyre, besoj se edhe ndaj Teutës do të japim maksimumin”.

Luftëtari vjen në këtë takim pas fitores bindëse me Lushnjën në stadiumin “Gjirokastra” duke e mbyllur fazën e parë me 8 pikë. Rikthimi i Luftëtarit te fitorja pas katër rezultateve negative, ka përcjellë mes futbollistëve më shumë besim dhe siguri për ta nisur me këmbën e mbarë fazën e dytë. Ky është dhe opinioni i sulmuesit Lamçja, i cili, përpos faktit se ende nuk ka gjetur rrugën e rrjetës, shpreh bindjen se Luftëtari do të jetë i suksesshëm në vijimësi.

“Ndeshjen kundër Teutës e kemi vlerësuar shumë, sepse nuk na lejohet asnjë gabim në fushën tonë dhe duhet të japim maksimumin për të marrë rezultatin pozitiv. Të japim gjithçka në fushë për të vazhduar ecurinë pozitive përballë tifozërisë sonë, e cila na ka mbështetur edhe në momentet tona më të vështira. Në planin personal do të dëshiroja që golin e shumëpritur, të munguar prej nëntë ndeshjesh, ta realizoja përballë Teutës.

Në këtë mënyrë do të nisja fazën e dytë me gol, edhe pse të ishte goli i vetëm do të mjaftonte për t’i dhënë trepikëshin Luftëtarit. Një fitore e pritshme përballë Teutës do të mjaftonte për të hedhur vështrimin më larg. Fitorja ndaj Teutës të mërkurën është detyrë shtëpie që duhet përmbushur”, përfundoi Lamçja.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"