Luftëtari pa tre titullarë, por Marantas kërkon fitoren ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2019 | 14:31

Luftëtari pa tre titullarë, por Marantas kërkon fitoren ndaj Laçit

Luftëtari do të ketë tri mungesa të rëndësishme në formacion në përballjen e sotme ndaj Laçit. Sikur të mos mjaftonte pezullimi për kartonë i mesfushorit Donald Açka, bluzinjtë kanë humbur edhe shërbimet e portierit Panajotis Paiteris, i cili u dëmtua në ndeshjen me Vllazninë në shpatull dhe nuk mundi të riaftësohej në kohë.

paiteris luftetari

Këtyre mungesave u shtohet edhe ajo e qendërmbrojtësit Enes Isufi, i cili për shkak të një angazhimi shumë të rëndësishëm familjar, ka kërkuar leje në klub.

Ndërkohë, mungesave për dëmtime u shtohen edhe mesfushorët Gresild Lika dhe Klinti Qato, të cilët gjithashtu nuk do të jenë të gatshëm. Megjithatë, trajneri grek i Luftëtarit, Jorgos Marantas, në bisedën për “Panorama Sport” është shprehur optimist, pavarësisht mungesave të paparashikuara pak orë para zhvillimit të ndeshjes.

TRAJNERI

“Na prêt një ndeshje shumë e vështirë. Laçi besoj se është një nga ekipet më të mira të kampionatit. Të paktën ky është opinioni im për kaq kohë sa jam njohur me futbollin shqiptar. E rëndësishme është të jemi të mobilizuar dhe të përqendruar. Do të bëjmë një lojë të kujdesshme, pasi vetëm kështu do të marrim rezultatin që duam. Luajmë në fushën tonë dhe duhet ta fitojmë këtë takim”, ka thënë fillimisht trajneri bluzi.

jorgos marantas

I pyetur për problemet me mungesat, ai deklaroi: “Dëmtimi i portierit Paiteris në ndeshjen me Vllazninë rezultoi i rëndë. Gjithashtu pezullimi i Açkës na vendos në vështirësi për të përballuar një kundërshtar të fortë si Laçi. Gjithsesi, unë besoj te të gjithë çunat, te forca dhe karakter i grupit.

Besoj te cilësitë e portierit Qyrani dhe të rinjve si Lala, Alinani etj”. Ndërkohë, sa u përket futbollistëve me eksperiencë, Marantas theksoi se pret shumë në këtë takim delikat. “Lojtarët që pres të japin më shumë janë pa dyshim ata me eksperiencë si kapiteni Rapo, Demo, Fili, Renja dhe Oshafi. Detyra jonë është të bëjmë mirë ndeshje pas ndeshjeje.

Formacioni i mundshem

Me punë sistematike dhe përkushtim besoj se do të jemi pjesë e skuadrave që do të dinë të përballojnë vështirësitë e garës. Për mua si trajner, të gjithë lojtarët janë të barabartë, kush punon dhe djersin, meriton vëmendje”, ka përfunduar kreu i pankinës bluzi.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"