Luftëtari nuk sheh “errësirë”, titullari: E përmbysim Apoloninë, nuk biem nga Superiorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2020 | 22:27

Luftëtari nuk sheh “errësirë”, titullari: E përmbysim Apoloninë, nuk biem nga Superiorja

Në Gjirokastër janë të bindur se do ia dalin në të dyja frontet. Besojnë jo vetëm te kualifikimi për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, por edhe te mbijetesa. I këtij mendimi është edhe Enes Isufi, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” skanon dy ndeshjet e kësaj jave. Shkodrani i Luftëtarit paralajmëron përmbysjen e Apolonisë, ndërsa rënien nga kategoria as që e çon ndërmend.

KASIJA Enea-Isufi

Para se të flasë për objektivat sezonalë, 19- vjeçari ndalet te barazimi 1-1 me Teutën. Një pikë në Durrës duket se ka ndezur shpresat në radhët e bluzinjve.

“Loja e mirë e skuadrës dhe pika e marrë jashtë fushe tregoi më së miri vlerësimin që ne i dhamë ndeshjes me Teutën. Ai barazim i arritur me besim dhe sakrificë në minutën e fundit na motivon për të dhënë gjithnjë e më shumë në fushë. Me përulësi dhe mobilizim total, do ta nisim edhe përballjen me Apoloninë në Kupë. Do synojmë përmbysjen e dy javëve më parë, ndonëse rezultati 3-0 duket i vështirë. Ky kompeticion ka specifikën e vet. Takimi i parë na rrëshqiti nga duart në minutat e fundit, por asgjë nuk mund të quhet e mbyllur. Është një kapitull ende i hapur dhe ne do të bëjmë çmos që ta kalojmë turin” tha Isufi.

Apolonia Elbasani

Optimizmi – Luftëtari do të presë këtë fundjavë në stadiumin “Gjirokastra” Flamurtarin e vendit të fundit. Një arsye më shumë për bluzinjtë për të synuar ngjitjen në klasifikim, pavarësisht 13 pikëve të akumuluara në 21 javët e luajtura. Çdo ndeshje ka vlerë, e megjithatë për Isufin ky 90-minutësh duhet fituar me çdo kusht.

“Flamurtari nuk është i duhuri për t’u mundur, pasi në përbërje të tij ka lojtarë të rinj me dëshirë për të luajtur si dhe ne. Jemi të destinuar për ta mposhtur kundërshtarin. Një fitore e pritshme në sytë e tifozëve tanë do mjaftonte për të ngritur lart moralin e skuadrës për të cilin kemi shumë nevojë. Unë besoj se do t’ia dalim deri në fund. Kampionati nuk ka përfunduar akoma dhe s’ka sens që të mendojmë për rënien nga kategoria.

flamurtari

Na duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe të shohim veten ku jemi pastaj. Jemi lojtarë të rinj dhe na mungon eksperienca ndoshta, por kjo nuk do të thotë se do dorëzohemi. Me zemër në fushë dhe shpirt gare, do të luajmë deri në javën e fundit të garës”, përfundoi qendërmbrojtësi i bluzinjve.

T.SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"