Luftëtari në humor, zbardhet plani ndaj krutanëve. Mezani fokusohet te goditjet standarde

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2018 | 21:44

Luftëtari në humor, zbardhet plani ndaj krutanëve. Mezani fokusohet te goditjet standarde

Nën urdhrat e trajnerit Gentian Mezani, kontingjenti i 27 bluzinjve është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të transfertës së nesërme, atë me Kastriotin. I ndërgjegjshëm për shkallën e lartë të vështirësisë që pritet të paraqesë takimi me Kastriotin, marrë shkas dhe nga pozitat e skuadrave në klasifikim, trajneri Mezani i ka bërë të gjitha në seancën e djeshme të zhvilluar në orën 13:45 në fushën e stadiumit “Gjirokastra”.

Luftetari55

Ai u kujdes me përkushtim deri në detaje për mbarëvajtjen e procesit stërvitor. Luftëtari e startoi seancën e djeshme me doza humori. Pas vrapimeve rreth pistës, trajneri Mezani zhvilloi me të tijtë streçing, goditje standarde dhe minindeshje. 15 minutat e streçingut duket se i djersitën djemtë e Mezanit dhe ky i fundit iu drejtua një prej punonjësve të fushës. “Ujë për çunat!” Si me shpejtësinë e erës të gjithë e shuajnë etjen për të vijuar për dhjetë minuta ekzekutimin e goditjeve standarde me dy pasime.

“Dhjetë minuta kohë keni çuna për të bërë këtë ushtrim”, u drejtohet Mezani lojtarëve. Porta e Rucit “bombardohet” nga gjuajtjet e lojtarëve bluzinj, të cilët nuk humbin asnjë sekondë për ekzekutimin e tyre. Kronometri skadon kohën e limituar të goditjeve standarde, teksa i lë gjithë hapësirën e duhur minilojës mes 18 bluzinjve. “Lojë të shpejtë! Mos ndaloni! Qarkulloni topin! Jepini ritëm lojës! Mos u shpërqendroni në asnjë situatë! Tregohuni të vëmendshëm, mos e humbni toruan para asnjë situate!” Këto ishin fjalët e Mezanit që shkonin në veshët e lojtarëve bluzinj seancën e djeshme.

Mungesat – Në sfidën me Kastriotin, gjirokastritëve do t’u mungojë mbrojtësit 31-vjeçar, Lejdi Licaj, për arsye skualifikimi. Aktivizimi i Eduart Rrocës si titullar mbetet për t’u parë, për faktin se dhjetëshi i Luftëtarit në minutat e marra në ndeshjen me Partizanin e harroi dëmtimin e gjatë. Sakaq, Albano Aleksi edhe dje u stërvit veçmas.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"