Luftëtari në ankth për Demon, Kalluci kundër trajnerit: I dënon lojtarët për një gabim…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2019 | 15:44

Luftëtari në ankth për Demon, Kalluci kundër trajnerit: I dënon lojtarët për një gabim…

Luftëtari ka harruar të fitojë. Triumfi në ndeshjen ndaj Flamurtarit në shtëpi është i pari dhe i vetmi në dhjetë javët e luajtura nga bluzinjtë në këtë kampionat. Jo vetëm kaq, por penallti të shkaktuara rregullisht dhe dëmtimet janë probleme të shtuara për bluzinjtë. Për disa prej situatave, Theodhori Kalluci ka një këshillë.

Kalluci

Kalluci – Deri më tani, Luftëtari ka shënuar vetëm gjashtë gola dhe ka pësuar 19 të tillë në dhjetë javë. Këto shifra janë dëshmi e defekteve të shfaqura si në manovrën sulmuese, edhe në atë mbrojtëse. “S’mund të lihet në stol një lojtar mbrojtës se gaboi një herë. Përkundrazi, ai duhet inkurajuar dhe mbështetur kur gabon.

luftetari

Nuk e kuptova mungesën e Lalës dhe të ndonjë tjetri me Tiranën, por është koha për t’u ndalur sa s’është vonë dhe për të vendosur pikat mbi i. Penalltitë e kthyera në modë duhet të marrin fund”, u shpreh menjëherë pas disfatës me Tiranën specialisti i futbollit, Theodhori Kalluci.

Penalltitë – Penalizimi nga goditjet e 11-metërshave, me ose pa dashje, për Luftëtarin përkthehet në të paktën pesë pikë të humbura. Në gjashtë penallti të akorduara në dëm të Luftëtarit, e fundit ekzekutuar nga Batha në minutën 26 s’u shndërrua në gol të pësuar. Mirëpo, ai episod i shkaktuar bëri që skuadra të vuante mungesën e mbrojtësit Prikas, të ndëshkuar me karton të kuq.

Aurel Demo

Dëmtimi – Luftëtari mund të humbasë për disa kohë edhe shërbimet e mbrojtësit Aurel Demo. Në minutën e 77-të, kuçovarit iu desh të linte e fushën pas nxjerrjes së shpatullës së krahut të djathtë. Burime nga stafi mjekësor i Luftëtarit për “Panorama Sport” konfirmojnë se Demo do të rrijë dy ditë pushim dhe më pas do të mësohet shkalla e dëmtimit.

Prikas – Për Luftëtarin, penalltia e fundit e shkaktuar nga mbrojtësi grek Prikas është e gjashta në dhjetë javët e luajtura. Mirëpo, ky episod, sipas mbrojtësit grek, është shkaktuar me dorën në pozicion natyral.

“Isha në mbrojtje të kundërshtarit dhe pozicioni i dorës s’kishte lidhje me penalltinë. Thjesht mbrojta kundërshtarin dhe rastësisht topi gjeti dorën time. S’di ç’të them më shumë. Por tani që jam pjesë e futbollit shqiptar, këtu arbitrat e kanë ndjesi të favorizojnë sulmuesit”, deklaroi Prikas.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"