Luftëtari ndihet gati për sezonin e ri, por trajneri ka dilema për lojtarët në provë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2018 | 16:43

Luftëtari ndihet gati për sezonin e ri, por trajneri ka dilema për lojtarët në provë

Skuadra gjirokastrite, e drejtuar nga dyshja sllovene Kostiç-Bonjotiç, një javë para startit të kampionatit është gati për t’i dhënë jetë sezonit të ri futbollistik 2018- 2019. Java e parë kampionatit për Luftëtarin rezervon përballjen me debutuesit e Superiores, Kastriotin. Luftëtari vjen në takimin premierë të sezonit pas lëvizjeve të shumta në merkato, si në hyrje dhe në dalje.

luftetariii

I gjendur në këto kushte, Luftëtari falë përkushtimit të drejtuesve dhe futbollistëve ndihet plotësisht i gatshëm për ta nisur me “këmbën e duhur” garën e re futbollistike. Gjithsesi, dilemat në hyrje të merkatos ekzistojnë, teksa mbetet për t’u mësuar e ardhmja e lojtarëve të afruar në provë së fundmi. Bëhet fjalë për emra si Balsa Radoviç ( i cili, edhe pse nuk ka hedhur të “zezën mbi të bardhë”, në Gjirokastër konsiderohet lojtar i Luftëtarit), Ardit Jaupaj, Ledion Xhymerti, Dhimtër Andoni, apo edhe ndonjë i ri tjetër. Me shumë mundësi, sot pritet të mësohet e ardhmja e këtyre lojtarëve, por nga burime konfidenciale mësohet se një tjetër emër i ri pritet t’i bashkohet Luftëtarit në fund të merkatos. Flitet për një lojtar cilësor në prapavijë. Burimet nuk bëjnë të ditur emrin e lojtarit, por me afrimin e tij meritoja do të konsiderohej përfundimisht e mbyllur.

PËRGATITJET – Nga sot Luftëtari do të nisë përgatitjet për takimin hapës me Kastriotin, që do të luhet të shtunën, në orën 16:45, në stadiumin “Gjirokastra”. Luftëtari mendohet të jetë plotësisht i konfiguruar për këtë ndeshje, pasi sot skuadrës pritet t’i bashkohet edhe mesfushori Eduart Rroca, si dhe portieri Ilias Melkas. I vetmi shqetësim për stafin teknik është mosriaftësimi në kohë i mbrojtësit Ivan Jakovljeviç, megjithatë, mbrojtja është reparti më i kompletuar i Luftëtarit. Në të tilla pozita, nisur edhe nga forma e mirë që gëzojnë aktualisht lojtarët, Luftëtari do të synojë, sikundër dhe janë shprehur më herët drejtuesit, pozicionimin në nivele sa më ta larta në fund të sezonit të ri futbollistik.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"