Luftëtari, Mezani: Na kënaq edhe një pikë në kryeqytet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2018 | 13:44

Luftëtari, Mezani: Na kënaq edhe një pikë në kryeqytet

Trajneri i Luftëtarit, Gentian Mezani, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me të kuqtë sqaroi se Partizani është skuadër për t’u vlerësuar normalisht, por jo për t’u mbivlerësuar. Partizani është kundërshtar shumë i fortë, ndaj për dy javë bluzinjtë janë stërvitur intensivisht për të marrë qoftë dhe një pikë në takimin e sotëm, i cili do të zhvillohet në orën 17:00 në “Selman Stërmasi”.

mezani

PARTIZANI
– “Jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka takimi me Partizanin. Do luajmë përballë një kundërshtari, që është pa dyshim ekipi më i mirë i momentit në Superiore. Jo se është në vend të parë, por është skuadër që gëzon formë të mirë. Ka një ‘ansambël’ të bukur, me lojtarë të fortë në mbrojtje dhe efektivë në sulm. Kanë pësuar vetëm një gol dhe kanë shënuar në të gjitha ndeshjet, çka tregon se janë kryesues të denjë.

Pavarësisht cilësive të kundërshtarit, edhe ne gjatë dy javëve të ndërprerjes së kampionatit jemi përgatitur sistematikisht për të marrë rezultat pozitiv. Me Partizanin, një barazim s’do të ishte keq, për vet pozicionin që mbajmë në klasifikim. Një pikë nesër(sot) na jep më shumë besim dhe optimizëm për të filluar fazën e dytë me më shumë dëshirë dhe grintë sportive. Mendoj se jemi përmirësuar fizikisht, pse jo edhe taktikisht për këtë takim”, tha fillimisht trajneri i Luftëtarit, Gentian Mezani.

VLERËSIMI- Teksa Luftëtari ka pasur gjithë kohën e mjaftueshme për të përgatitur strategjinë me të cilën do t’i përgjigjet potencialitetit të një skuadre si Partizani, trajneri Mezani më tej u shpreh: “Është e logjikshme se kur përballesh me kryesuesin e Superligës kërkohet vlerësim maksimal, por asnjëherë mos të mitizojmë kundërshtarin. Partizanin e kemi vlerësuar seriozisht. Nuk ka arsye për nënvlerësim dhe për më shumë, pse duhet ta mbivlerësojmë”.

GJENDJA E SKUADRËS– I pyetur nga “Panorama Sport” lidhur me kondicionin dhe formën fizike të lojtarëve, Mezani u përgjigj: “Është e drejtë pyetja, pasi që në ndeshjen miqësore me Bylisin dëmtimet na ndoqën si ‘re e zezë’ nga pas. Megjithatë, falë përkushtimit të çunave dhe stafit mjekësor, me disa probleme të vogla, por them se të gjithë janë të gatshëm. Kemi lënë pas një javë me viroza gripale të dy-tre lojtarëve, por tashmë janë gati për të qenë pjesë e formacionit. Ka pasur lojtarë të kontraktuar, si kapiteni Behar Ramadani dhe Erald Hyseni, por këto dëmtime i përkasin së shkuarës”.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"