Luftëtari mendon për të Parën, promovon të rinjtë gjirokastritë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2020 | 23:58

Luftëtari mendon për të Parën, promovon të rinjtë gjirokastritë

Me humbjen 3-1 në Laç, Luftëtari “arkivoi” disfatën e nëntë radhazi në 10 ndeshjet e fundit, ç’ka konfirmon edhe një herë ecurinë negative. Por bluzinjtë ngushëllimin e gjejnë te shprehja “çdo e keqe, ka një të mirë nga pas”. Nën drejtimin e trajnerit Neritan Novi, Luftëtari po hedh themelet e skuadrës së ardhshme, që do të militojë në Kategorinë e Parë. Kjo po realizohet duke besuar dhe duke u dhënë më shumë hapësira futbollistëve me moshë të re, që shikohen si të perspektivës.Futbollistet e Luftetarit

Ndeshja me Laçin është “pasqyra” për të parë shëmbëlltyrën e lojtarëve të së ardhmes, pjesë e produktit të shkollës gjirokastrite. Sadik Basha, Stiven Puci, Bastri Malaj dhe Klaus Alinani lanë gjurmë në Laç. Padyshim që meritë ka trajneri Novi, që u besoi në një fushë të vështirë si e Laçit. Sadik Basha, edhe pse iu desh ta nxirrte topin 3 herë nga rrjeta, bëri një paraqitje për t’u vlerësuar. Falë shtatlartësisë (185 cm) pritshmëritë janë të mëdha, pasi “gardiani” Basha është edhe pjesë e Kombëtares U-19, që drejtohet nga ish-trajneri i Luftëtarit, Nevil Dede.

Basha, që më 4 qershor mbushi 18 vjeç, është thirrur ditën e djeshme nga trajneri Nevil Dede në grumbullimin katërditorë, kësisoj s’do të jetë nën urdhrat e dyshes Novi-Bistri në ditët e përgatitjeve anti-Skënderbe. Mbrojtësi i majtë Bastri Malaj, i aktivizuar në Laç në vend të shkodranit Armenis Kukaj, bëri një paraqitje të mirë, gjë të cilën e pohoi vetë trajneri Novi pas ndeshjes. Stiven Puci dhe Klaus Alinani i dhanë më shumë siguri lojës në prapavijë dhe në ofensivë.Futbollistet e Luftetarit maska

Alinani hera-herës tentoi portën laçiane nga distanca, gjë të cilën e ka bërë mjaft mirë sezonin e shkuar ku dhe u shpall golashënuesi më i mirë për 19- vjeçarët. Jo vetëm këta futbollistë, por edhe të tjerë priten të jenë e ardhmja e Luftëtarit sezonin e ardhshëm, si produkt i akademisë së Luftëtarit. Është koha për t’i përkrahur këta të rinj dhe jo vetëm, me qëllim që bashkë me pjesën tjetër të ekipit Luftëtari të rikthehet sa më shpejt në Superiore. Luftëtari, i kushtëzuar dhe nga temperaturat e larta të ditëve të fundit, i ka zhvendosur seancat përgatitore në orën 18:30. Ndeshja me Skënderbeun është e parafundit në shtëpi për bluzinjtë, nga ku pritet edhe një rezultat i mundshëm pozitiv.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"