Luftëtari lëviz në merkato, afrohet sulmuesi 24-vjeçar. Gati rikthimi në skuadër i ish-lojtarit bluzi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2020 | 9:49

Luftëtari lëviz në merkato, afrohet sulmuesi 24-vjeçar. Gati rikthimi në skuadër i ish-lojtarit bluzi

Eri Lamçja, një emër i njohur te Luftëtari, pritet të jetë goditja e parë e bluzinjve në merkato. Drejtori sportiv, Artur Dadaj, për “Panorama Sport” konfirmon bisedimet me elbasanasin, që mësohet se ka dëshirë të luajë për gjirokastritët.

Lamcja feston pa fanelle

“Lamçja është në planet tona dhe shpresojmë të gjejmë gjuhën e përbashkët për anën financiare. Besoj se do jetë një pikë e fortë për ne sezonin e ri. Lamçja nuk është i vetmi që do afrojmë në merkato, jemi në bisedime me një grup lojtarësh, por nuk duam të nxitohemi. Për momentin po stërviten 4-5 futbollistë të ardhur nga ekipet e tjera.

Stafi teknik është duke i vëzhguar dhe pas kësaj fundjave do vendoset për ta. Luftëtari ka nevojë për përforcime, ndaj dhe po shohim për elementë që mund të bëjnë diferencën”, tha drejtori sportiv Dadaj për gazetën. Nga Devolli ka ardhur dje sulmuesi 24-vjeçar Mario Kame, i cili luajti në miqësoren ndaj afrikanëve, ku Luftëtari humbi 1-2.

Në këtë ndeshje luajti edhe Shyqyri Xhepa, mbrojtës i majtë i ardhur nga Tirana, madje shënoi edhe gol. Në miqësoren e sotme me Orikun, që do të luhet në stadiumin “Gjirokastra”, do të testohen dy afrikanët Frensis Lamptei dhe Ejoum Mukoko.

MIQËSORET – Prej gati dy javësh nën urdhrat e dyshes Jovanoviç-Meçani janë vënë lojtarë si Rivaldo Bakaj, David Bocaj, Aulon Velaj, Xhoisi Lamaj, Ledion Mehmeti dhe së fundi Armand Tare. Në miqësoret me Bylisin dhe Labërinë, trajneri Jovanoviç i ka parë me kujdes, por ai dhe stafi i tij duan të jenë të matur në çdo vendim që do të marrin. Megjithatë, burime konfidenciale të “Panorama Sport” bëjnë me dije se ky kontigjent me shumë gjasa do të jetë pjesë e Luftëtarit sezonin e ri.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"