Luftëtari i shpërndarë, mjeku zbulon këshillat për lojtarët dhe ushtrimin special në karantinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2020 | 17:37

Luftëtari i shpërndarë, mjeku zbulon këshillat për lojtarët dhe ushtrimin special në karantinë

Në një kohë që futbolli është ndalur në Shqipëri dhe jo vetëm, sërish shumica e lojtarëve të ekipeve të Superiores kanë marrë një program individual që mundohen ta zbatojnë me aq kushte sa kanë në këto ditë karantine. Edhe Luftëtari, ashtu si skuadrat e tjera, u shpërnda më 12 mars, kur dhe u vendos për pezullimin e kampionatit nga FSHF.JUXHIN KORBECI

Sot “Panorama Sport” kontaktoi me fizioterapistin e ekipit bluzi, Juxhin Korbeci, i cili njëkohësisht është kryeinfermier i hemodializës në spitalin rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër. Çfarë bëjnë sot lojtarët e Luftëtarit? Çfarë programi ju ka dhënë stafi mjekësor, i kryesuar nga mjeku Vladimir Bakalli? Për këto, por jo vetëm, Korbeci tregoi detaje për gazetën pas kontakteve të përditshme që ka me futbollistët, të cilët janë shpërndarë në familjet e tyre breda vendit, ndërsa ka edhe nga ata që janë në Greqi aktualisht.

DEKLARATA – Fillimisht, fizioterapisti që ka tri vite që është pjesë e stafit mjekësor të Luftëtarit, tregoi për atë që u është thënë lojtarëve. “E para dhe më kryesorja është që të qëndrojnë në shtëpi. Të ndërgjegjësohen për rrezikun e lartë që paraqet koronavirusi. Duhet të jenë rigoroz me higjenën personale dhe në ruajtjen e distancës sociale atëherë kur u duhet të dalin nga shtëpitë me patjetër.

KORBECI

Ata futbollistë që kanë kushte në shtëpi, mund të kryejnë ushtrime të ndryshme aerobike dhe izometrike, duke bërë sadopak aktivitet fizik”, tregon Korbeci, për t’u futur më pas në detaje sa i përket ushqimit. “Mbi të gjitha duhet të mbajnë regjim ushqimor, pasi në këtë moment nuk mund të konsumojnë sikur të jenë në aktivitet fizik, pasi nuk i djegin kaloritë.

Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë futbollistët dhe mund të them se gëzojnë shëndet të plotë. Tani që po flas me ju, sapo kam mbyllur bisedën me disa lojtarë si Franci Lala, Aldrit Oshafi, Erald Hyseni dhe Jurgen Dushkaj. Prej tyre mësova se gjithçka po shkon mirë, por natyrisht me dëshpërimin e ndërprerjes së kampionatit. Kjo ka ndikimin e vetë psikologjik tek lojtarët. Megjithatë, duhet të forcojnë durimin për të përballuar këtë situatë, që po merr dita-ditës jetë njerëzish në mbarë botën”, ka thënë fizioterapisti i Luftëtarit.KORBECII

Por, cili është ushtrimi që stafi bluzi u ka rekomanduar lojtarëve ta bëjnë të paktën katër herë në ditë në kushte shtëpie? Korbeci e zbulon. “Në të tilla kushte, siç e thashë edhe më lart, janë praktikimi i ushtrimeve të ndryshme në shtëpi. Përveç izometrisë, diçka e praktikueshme që ua kemi rekomanduar lojtarëve, duke iu vënë në dispozicion edhe videot përkatëse, është edhe ushtrimi që cilësohet ‘tabata’. Është krijuar nga një shkencëtar japonez dhe vë në lëvizje itensive të gjithë muskujt e trupit.

KORBECI JUXHIN

Pra, djeg kalori dhe forcon muskujt. Janë tetë sete ushtrimesh me nga 20 sekonda, por me itensitet. Në kushte shtëpie ua kemi këshilluar lojtarëve ta bëjnë minimalisht katë herë në ditë. ‘Tabata’ përmban edhe ushtrime kardio, duke ndihmuar në mbajtjen e formës fizike”, përfundoi fizioterapisti bluzi.

TOMOR SHEHU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"