Luftëtari i sezonit të ri pret vendimin e Etikës për Skënderbeun, shpresohet te Europa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2017 | 15:21

Luftëtari i sezonit të ri pret vendimin e Etikës për Skënderbeun, shpresohet te Europa

Në Gjirokastër pritet të qartësohet vendimi i Komisionit të Etikës, ai i datës 8 për të mësuar nëse Luftëtari do të jetë pjesë e skuadrave të Europa Ligës. Bilanci më shumë se i suksesshëm i Luftëtarit të drejtuar nga serbi Mlladen Milinkoviç është një ogur i mirë për të gjithë dashamirësit e futbollit gjirokastrit duke filluar nga grupimi i ultrasve “Shqiponjat Bluzi”.

luftetari

Në një kohë që ka kaluar një javë nga ulja e siparit të kampionatit të 78-të Kombëtar të Kategorisë Superiore dhe Luftëtari mbetet në pritje të vendimit të Etikës rreth Skënderbeut, janë tifozët vendës që presin të shohin trajnerin Mlladen Milinkoviç sërish në krye të stolit të Luftëtarit.

Që në fillim, afrimi i Milinkoviç në skuadrën gjirokastrite pati një impakt pozitiv. Kjo për vetë metodikën e punës që do të sillte në skuadër. Me kalimin e javëve dhe atë që Milinkoviç ndërtoi me ekipin bëri që të fitonte mbështetjen e ambientit sportiv në të gjithë qytetin e gurtë. Renditja e ekipit në pjesën e sipërme të tabelës ka plotësuar maksimalisht objektivin e klubit për të mbetur në Superiore, aq më tepër që në rast të një vendimi drastik për Skënderbeun mund të hapet një vend në Kupat e Europës.

TRAJNERI

Përpos arritjeve pozitive të Luftëtarit, i cili si asnjëherë tjetër është sa afër dhe aq larg Europës, trajneri Mlladen Milinkoviç, pas përfundimit të takimit të fundit me Kukësin, pat thënë: “Kontrata ime përfundon në fund të qershorit dhe më pas do të shohim me agjencinë time ku do të vazhdojmë vitin tjetër, nëse do të qëndroj këtu apo jo”.

Një arsye më shumë për sportdashësit gjirokastritë që Milinkoviç të jetë sërish “timonieri” i Luftëtarit për sezonin që vjen është modestia, thjeshtësia dhe prezantimi i këtij trajneri para opinionit publik dhe mediave. Luftëtari i sezonit të sapombyllur u rendit i katërti në klasifikim teksa koleksionoi 44 pikë, duke lënë pas ekipe me emër në futbollin shqiptar si Teuta, Vllaznia, Flamurtari e Laçi, pa harruar Tiranën e “kapitulluar” në të Parën.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"