Luftëtari gati për krutanët, Rroca ndjek ekipin si… tifoz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2018 | 17:35

Luftëtari gati për krutanët, Rroca ndjek ekipin si… tifoz

Kur duhen tri ditë nga starti i sezonit të ri futbollistik, 2018-2019, bluzinjtë e Millosh Kostiçit vijojnë përgatitjet në normalitet të plotë. Ekipi dje ka zhvilluar dy seanca stërvitore. Paraditja ka qenë një alternim mes ngarkesës në palestër dhe vrapime atletike rreth pistës së stadiumit “Gjirokastra”, ndërkohë që pasdite futbollistët kanë zbritur në tapetin e kompleksit sportiv “Fusha e Vjetër”.

luftetari

Për gati 120 minuta, stafi teknik, me në krye Kostiçin, është fokusuar në realizmin e ushtrimeve taktike. Të gatshëm ishin të gjithë titullarët me përjashtim të Eduart Rrocës dhe “gardianit” Ilias Melkas. Rroca e ka ndjekur seancën e pasdites nga afër, teksa është kthyer nga terapia që zhvilloi në Janinë. Ndërkohë, portieri Melkas, pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen miqësore me Apoloninë, vijon terapinë. Pjesë e grupit të lojtarëve nën urdhrat e stafit bluzi ishin dhe lojtarët në provë. Për lojtarët që prej ditësh vijojnë përgatitjet me Luftëtarin, akoma nuk është marrë asnjë vendim. Do të jetë stafi teknik ai që do të vërë pikat mbi “i” për lojtarët që janë në provë, si Ardit Jaupaj, Dhimitër Andoni e Ledion Xhymerti.

roca

Burime konfidenciale për “Panorama Sport” bëjnë me dije se me shumë gjasa, për aq kohë sa merkato e verës do të jetë e hapur ( deri më 31 gusht), do të mësohet dhe e ardhmja e lojtarëve në provë. Portieri 20- vjeçar, Avernold Qyrani, produkt i shkollës gjirokastrite mësohet se i është bashkuar skuadrës së Korabit për të vijuar karrierën në Kategorinë e Parë. Nuk dihet nëse Qyrani do të arrijë të nënshkruajë me dibranët ose jo sezonin e pritshëm futbollistik. I riu gjirokastrit mbrojti në fazën e dytë të sezonit të shkuar portën e Naftëtarit duke qenë titullar i padiskutueshëm. Punimet në fushën sportive “Lefter Millo” duket se do të përfundojnë shpejt dhe në këtë mënyrë Luftëtari do të stërvitet në fshatin Dervician. Aktualisht është hapur dhe pusi nga ku do të merret ujë për vaditjen e fushës. Drejtuesit janë të gatshëm për t’i dhënë përparësi këtij kompleksi, me qëllim shmangien e dëmtimeve në kushtet e tapetit artificial.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"