Luftëtari fal Renjën, trajneri Marantas: Në fushë vetëm ata që luftojnë, për Filin vendos klubi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2019 | 20:40

Luftëtari fal Renjën, trajneri Marantas: Në fushë vetëm ata që luftojnë, për Filin vendos klubi

Jorgos Marantas në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” para transfertës me Partizanin pohoi se aktivizon vetëm ata lojtarë që luftojnë në fushë, pa u nisur nga emrat. Ai tregon atmosferën brenda grupit para duelit me “demat e kuq”, objektivin e radhës, si dhe sqaron edhe problematikat e fundit, siç është edhe dënimi i Filit.

jorgos marantas

Si e shikon trajneri i Luftëtarit përballjen me Partizanin?

Edhe kjo ndeshje me Partizanin është shumë e vështirë. Pres nga lojtarët që të jenë më mirë se në dy ndeshjet e fundit dhe të tregojnë forcën e tyre në fushë. Të tregohemi më të fortë, si dhe të mundohemi të marrim qoftë dhe një pikë, pse jo dhe më shumë ndaj Partizanit. Unë dua që lojtarët të jenë të fortë dhe të përqendruar, asgjë më shumë.

Realdo Fili dhe Andi Renja do jenë pjesë e formacionit nesër?

Për sa u përket dy lojtarëve, Renjës dhe Filit, së pari dua t’ju them se ky është një vendim që e ka marrë klubi. Të dy lojtarët qëndruan jashtë seancave stërvitore pas vendimit të klubit. Renja është kthyer në stërvitje, pasi fola me klubin. Unë dhe presidenti kemi rënë dakord që të rikthehet prapë dhe pres të kthehet sa më i fortë fizikisht. Ai ka pasur një dëmtim dhe s’është akoma i gatshëm. Ndërsa Fili s’do të jetë i gatshëm për ne, pasi nuk bën stërvitje me skuadrën. Një lojtar që ka konflikte me tifozët, nuk ka asnjë punë në ekip. Kjo është arsyeja që klubi e ka nxjerrë nga stërvitja. Edhe unë nuk e dua një lojtar të tillë. Dua vetëm një lojtar që e ka mendjen në lojë dhe në fushë. E thashë edhe më parë, është vendimi i klubit ky dhe jo i imi.

Cila është situata e dëmtimeve në skuadër dhe sa i shqetësuar jeni?

Kemi dëmtimin e Demos, i cili ka nxjerrë krahun dhe s’do të luajë të dielën. Po pres përgjigjen e doktorit, që të na thotë kur do rikthehet, sepse akoma s’e dimë kur do luajë. Prikas mungon për shkak të kartonit të kuq. Është e kuptueshme që ekipi ka shumë vështirësi për lojtarët që mungojnë. Dikush i ka sjellë këtu. Dua që lojtarët të kenë kualitet në mendje. Për eksperiencën s’mund të flas, pasi tani po e fitojnë. Jam trajner profesionist dhe shikoj të bëj mirë punën time.

Disa herë jeni parë dukshëm i revoltuar dhe i shqetësuar gjatë dhe pas ndeshjeve kur rezultati s’ka qenë me ju dhe jo vetëm?

Nevrikosem dhe s’ambientohem dot me humbjen. Brenda një humbjeje bëhem më i fortë, mësoj, luftoj akoma edhe nëse s’e kam gjendjen më të mirë që ta përballoj këtë gjë. Luftoj për ekipin dhe shoh punën time. Oshafi është një lojtar pa eksperiencë. Të gjithë e kritikojnë keq, po Oshafi mundohet shumë që të bëjë më të mirën e tij personale. Lala dhe Isufi janë pa eksperiencë, po marrin tani ndeshjet e para. Kanë shumë ndeshje që po luajnë dhe po bëjnë gabime, por do rikthehen se po punojnë shumë fort. Vyent është 28 vjeç dhe ka eksperiencë, por përvojë ka vetëm në Kategorinë e Tretë në Greqi. Ju kujtoni se kemi Garet Bejl këtu? Është Vyent që po mundohet shumë të bëjë më të mirën. Dushkaj është një lojtar i mirë, por duhet të bëhet më bashkëpunues. Ndërsa Hilgen Cerezo është jashtë ekipit dhe sa të jem unë në skuadër, nuk do të luajë, sepse ka fizik të keq dhe është mbipeshë. Lojtarët e tjerë janë pa eksperiencë dhe po punojnë shumë. Paiteris mungoi një muaj dhe luajti Qyrani për herë të parë. Mundet dikush të flasë keq për Qyranin?

Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, çfarë mund të thoni më shumë?

Unë jam këtu dhe punoj çdo ditë me lojtarët. E fundit që dua t’ju them ju gazetarëve: Do luajnë vetëm ata lojtarë që besojnë dhe luftojnë për objektivin e ekipit. Dua tifozët me vete, pasi skuadra u takon atyre. Mua më dhimbset kur humbasim, po nëse konstatoj që nuk ndryshon gjë, do iki dhe kështu do të ketë gazetari një lajm për të bërë. Në këto momente s’ka lajm tjetër. Kur unë flas dhe gazetari shkruan të tjera nga ato që unë them, ikën nga puna.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"