Luftëtari e nis ndaj Vorës në Kupë, gjirokastritët testojnë të rinjtë përpara Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2018 | 12:06

Luftëtari e nis ndaj Vorës në Kupë, gjirokastritët testojnë të rinjtë përpara Tiranës

Luftëtari do të udhëtojë brenda ditës për t’u përballur me ekipin e Kategorisë së Parë, Vorën, në një ndeshje që do të luhet në Yrshek, sot pasdite në orën 16:00. Për gjirokastritët ky është një test që nuk duhet nënvlerësuar, e para për faktin se Kupa e Shqipërisë mund të jetë trampolina që bluzinjtë të rizgjohen nga kriza e rezultateve që po kalojnë, por në të njëjtën kohë ky duel me Vorën mund të jetë shkëndija e duhur në pritje të transfertës së radhës në kryeqytet, kundër Tiranës, në Superiore.

luftetariiii

Duke parë rivalin e radhës në kampionat, është normale që vëmendja të jetë e përqendruar te Tirana, por ndeshja me Vorën do të jetë një test shumë i rëndësishëm për disa prej titullarëve që kanë pasur pak minuta, por edhe për disa të rinj me pritshmëri të mëdha, disa prej të cilëve u afruan edhe në merkaton e verës, si Donaldo Açka (i aktivizuar në takimin e dytë në Europë ndaj Ventspils), Eraldo Hyseni, Elian Çelaj, Aldrit Oshafi, Romario Cekaj, Erind Jahelezi, Dhimitër Andoni (huazuar nga radhët e Paramithisë), të cilët mund të jenë sot pjesë e titullarëve anti-Vorë.

Për sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, në seancën e djeshme stërvitore, ra në sy mungesa e portierit Ilias Melkas, i cili ka udhëtuar në Greqi për të kuruar dëmtimin e tij, ndërsa në portë pritet “gardiani” i ri me perspektiv, Andrea Shumeli. Ndërkohë, dje ka mbërritur në Shqipëri edhe sulmuesi nga Kenia, Ismael Dunga, i cili është federuar më në fund për Luftëtarin dhe do të jetë i gatshëm për trajnerin Kostiç.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"