Luftëtari barazon me Labërinë, sot tjetër ndeshje me… afrikanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2020 | 9:48

Luftëtari barazon me Labërinë, sot tjetër ndeshje me… afrikanë

Luftëtari nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me ekipin debutues në Kategorinë e Dytë, Labëria. Ky është takimi i dytë miqësor i gjirokastritëve në harkun kohor të 7 ditëve. Trajneri Jovanoviç testoi sërish lojtarët që ka në dispozicion, ku emri i fundit që i është bashkuar Luftëtarit është Armand Tare, i ardhur nga Flamurtari. Te Labëria ra në sy prania e shumë lojtarëve të njohur, si Çaushaj, Beqiri, Kuqi etj.

Futbollistet e Luftetarit

NDESHJA – Dy golat e miqësores u shënuan në pjesën e parë. Të parët shënuan gjirokastritët me Këndellën, më pas barazoi Labëria me veteranin Çaushaj. Para se të dyja skuadrat të gjenin rrugën e rrjetës ka pasur edhe disa episode të tjera në portat respektive. Sinaj gjuajti fort nga jashtë zonës, por Basha nuk lejoi prekjen e rrjetës. Në minutën e 27-të Këndella gjuajti fluturimthi me të majtën dhe topi përfundoi në trekëndëshin e majtë të portierit Spahiu. Labëria reagoi mirë dhe fitoi një penallti të shkaktuar nga Thoma Puci në dëm të Kamberajt.

Çaushaj nuk gaboi nga pika e bardhë dhe 1- 1. Pjesa e dytë nisi me zëvendësime nga trajnerët Jovanoviç dhe Rustemi. Trajneri i Luftëtarit hodhi në fushë lojtarë si Demo, Tahiraga, Bocaj, Bakaj, Zholi, Alinani, Qato, Stiven Puci dhe Ahmetaj. Bakaj dhe Puci patën raste për Luftëtarin, por pa mundur të shënojnë, pasi Rexha ishte në lartësinë e duhur. Në fund veterani Halim Begaj vuri në provë Bashën, por edhe ky i fundit nuk gaboi. Pas ndeshjes asnjëri nga dy trajnerët nuk deshi të prononcohej.

Sot Luftëtari do të ketë një tjetër test me një grup lojtarësh afrikanë që kërkojnë të jenë pjesë e ekipeve në Shqipëri.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"