Luftë treshe për shërbimet e yllit të Apolonisë, sulmuesi mund të bashkohet me Mihanën tek Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2021 | 13:35

Luftë treshe për shërbimet e yllit të Apolonisë, sulmuesi mund të bashkohet me Mihanën tek Dinamo

“Mario Gjata”, një histori që zgjat dhe për të disatën herë supozohet që këtë javë të marrë një zgjidhje përfundimtare. Tregu i huaj nuk ofron mundësitë e duhura dhe tashmë për të ardhmen e sulmuesit çdo gjë është fokusuar në Kategorinë Superiore.

Gjata

I synuar aq fort nga Partizani, Gjata cilësohet një lojtar i vlefshëm për skuadrën e Dajës, duke parë dhe mungesat e një qendërsulmuesi tipik, veç Zhuniorit.

21-vjeçarin fierak e mbajnë larg akordit pretendimet kontraktuale të të dyja palëve. Të kuqtë nuk kanë hequr dorë, por edhe verilindorët e Kukësit kanë shtuar presionin ndaj fierakëve, të cilët vazhdojnë të mbeten stoikë në qëndrimin e vet dhe kërkojnë të marrin më të mirën e mundshme nga transferimi i sulmuesit.

Por, nuk janë vetëm këto dy skuadra të interesuara për shtatlartin fierak. Dinamo është dëshmuar një klub “special” për tërheqjen e lojtarëve cilësorë gjatë kësaj vere.

Ndonëse trajneri Shkëmbi ka deklaruar se merkatoja është mbyllur me Mihanën, “nëndetësja” po monitoron me vëmendje situatën dhe nga burime të sigurta, kanë bërë bisedimet përkatëse dhe nuk është çudi që Dinamo të fitojë një tjetër konkurrencë për ta veshur blu Mario Gjatën.

Kujtojmë që përpara Gjatës, dinamovitët fituan “derbin” me Partizanin për sulmuesin tjetër të Apolonisë, Redon Mihana. Gjatë kësaj periudhe, Gjata ka vazhduar stërvitjen në Fier, por nuk ka luajtur në asnjë nga 3 miqësoret e deritanishme verore të Apolonisë për të shmangur dëmtimet dhe në pritje të transferimit.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"