Luftë për një vend te Partizani, gati “artileria e rëndë” ndaj Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2021 | 23:44

Luftë për një vend te Partizani, gati “artileria e rëndë” ndaj Kukësit

Kukësi-Partizani do jetë kryendeshja e javës së 20-të në Kategorinë Superiore, me dy skuadrat që do të përballen në “Elbasan Arena” të dielën. Kjo sfidë starton në orën 16:00. Trajneri Ilir Daja ka në dispozicion të gjithë lojtarët, pasi te Partizani, nuk ka as dëmtime e as pezullime nga kartonët.

Partizani stervitje

Kjo gjë, nuk ka ndodhur thuajse aspak gjatë gjithë sezonit aktual dhe ndaj Kukësit, Partizani do të ketë një “artileri të rëndë”. Skuadra e kuqe zhvilloi seancën e radhës stërvitore në orën 11:30 ditën e djeshme, si zakonisht në ambientet e kompleksit “Football Republic”.

Nën urdhrat e trajnerit Daja dhe stafit teknik kanë qenë prezent të gjithë lojtarët. Edhe mesfushori Rron Broja, është rikthyer nga pezullimi. Përgatitjet do të vijojnë edhe sot me se ancë n e radhës, sërish në orën 11:30. Sfida Kukësi-Partizani, e vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore, do të luhet ditën e diel, ora 16:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.

ASANI – Jasir Asani ka pasur një shqetësim të vogël në kavilje, por e ka lënë pas këtë dëmtim dhe do të jetë 100% gati kundër Kukësit. Anësori luajti 25 minuta kundër Kastriotit, duke u futur nga stoli dhe duke qenë menjëherë protagonist. 25-vjeçari shënoi një supergol nga goditja e dënimit për të çuar shifrat në 0-2 në favor të Partizanit, si dhe asistoi golin e tretë të shënuar nga Lukas Kardozo.

Kundër Kukësit, Asani pritet të jetë titullar në krahun e djathtë të sulmit, jo vetëm prej ndeshjes tepër të mirë që bëri në Kamzë ndaj Kastriotit, por edhe sepse është në formë optimale. Një armë e shtuar për trajnerin Daja, që nga minuta e parë për sfidën delikate ndaj verilindorëve.

FORMACIONI – Nuk priten ndryshime te Partizani nga fitorja 0-3 në Kamzë kundër Kastriotit, veç rikthimit të Jasir Asanit në formacion në vend të Çinarit. Në portë do të jetë kapiteni dhe lideri i skuadrës, Alban Hoxha.

Formacioni Partizani

Në mbrojtjen me katër futbollistë, Bitri dhe Belica do aktivizohen në qendër, ndërsa Hakaj e Mala nga krahët. Murataj, Broja dhe Bardhi do të përbëjnë repartin e me fushës, ndërsa Melo dhe Asani do të luajnë nga krahët e sulmit. Stenio Junior pritet të udhëheqë skuadrën përpara. Edhe cilësia në stol te Partizani, është shumë e madhe, me Çinarin, Hasanin, Kardozon dhe Carën që mund të bëjnë diferencën në çdo moment.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"