Luftë për 1 pikë/ Mërgjyshi: “Dominuam për 75 minuta, barazimi na mban në garë”. Magani: “Duhet të fitonim, nuk do ta lëshojmë kreun”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2020 | 19:12

Luftë për 1 pikë/ Mërgjyshi: “Dominuam për 75 minuta, barazimi na mban në garë”. Magani: “Duhet të fitonim, nuk do ta lëshojmë kreun”

Nuk ka fitues në Luz. Besa dhe Egnatia kanë luftuar për më shumë se 90 minuta, por goli nuk erdhi kurrë. Miqtë “flirtuan” me golin në kohën shtesë, por Shyti ishte i pafat. Shpëtimtar për kavajasit u bë Moqi, i cili nxori topin mbi vijën fatale jashtë.

Besa Egnatia

Edhe pse u mbyll në barazim, skuadra e Gugash Maganit vazhdon të kryesojë. Kavajasit humbasin jo vetëm shansin për të kapur kreun, por zbresin një shkallë më poshtë në renditje.

Artan Mërgjyshi nuk kënaqet nga rezultati, ndonëse e pranon se Egnatia mund t’i kishte ndëshkuar në fund. Trajneri mendon se barazimi nuk kompromenton synimet, ndërsa shfaq rezerva për gjendjen e terrenit.

mergjyshi

“Ishte një ndeshje e fortë me një nga rivalët tanë kryesorë. Terreni nuk na lejoi të shfaqeshim në nivelin e lojës sonë. Dominuam mbi 75 minuta. Krijuam volum loje, patëm edhe raste, por nuk shënuam dot. Megjithatë, fundi i lojës mund të merrte tjetër rrjedhë. Kundërshtari në fund mund të na ndëshkonte. Rezultati nuk më kënaq, por nga anën tjetër, barazimi nuk dëmton ambicien tonë për objektivin”, u shpreh tekniku i Besës.

Edhe Gugash Magani mendon se terreni i penalizoi për të dalë në lojën më të mirë. Trajneri i Egnatias shpreh keqardhjen që nuk u shënua në shtesë, por paralajmëron se do të bëjnë çmos që të mos e lëshojnë kreun deri në finish.

Magani

“Ishte një ndeshje me një nga rivalët tanë kryesorë në garën për Superiore. Jam i kënaqur nga loja e të besuarve të mi, por gjykoj se terreni nuk la as Besën dhe as ne të shfaqnim vlerat tona reale. Në fund të takimit patëm rastin ideal dhe mund të dilnim të fituar. Gara është vetëm në fillim dhe do vijojmë të luajmë për të mos e lëshuar kreun”, tha peqinasi i stolit të rrogozhinasve për “Panorama Sport”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"