“Luftë” me kohën, lojtari i ri i Skënderbeut riaftësim me urgjencë. Ahmataj pret dhe tre tjerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 11:01

“Luftë” me kohën, lojtari i ri i Skënderbeut riaftësim me urgjencë. Ahmataj pret dhe tre tjerë

Dëmtimet e lojtarëve prishin disi planin afatgjatë të Skënderbeut për sa i përket ndërtimit të strategjisë së lëvizjes në merkato. Diçka e tillë ndodhi me Mërgim Shalën dhe klubin bardhekuq. Transferimi nga Suedia në Korçë edhe me një plan të mirëdetajuar dhe tepër të rëndësishëm për të dy palët. Shala, pas aventurës tek Asyriska kërkonte Skënderbeun si trampolinë për një tjetër klub të huaj dhe si limit i parë ishte caktuar merkatoja e janarit. Kjo ishte dhe arsyeja pse Ahmataj dhe stafi i tij, duke u nisur edhe nga të dhënat e futbollistit e kishin programuar si titullar. Por dëmtimi i pësuar në këmbë në prag të nisjes së sezonit e la pezull diçka të tillë. Për momentin Shala është ende duke zhvilluar terapi me qëllim rikthimin sa më të shpejtë.
mergim-shala1-e1603018519404
Për këtë arsye ka zgjedhur Ohrin për të kërkuar riaftësimin në një kohë rekord. Lojtari ndodhet në Ohër dhe nga mesi i javës pritet që të jetë në Korçë për t’u bashkuar me ekipin. Por ende nuk është situata e qartë se kur Shala mund të jetë gati për të bërë debutimin e tij me Skënderbeun. Në të tilla kushte duket se plani i qartë i klubit bardhekuq do të shtyhet për në pjesën e dytë të merkatos atë verore. Me pak fjalë Shala me shumë mundësi do të jetë një pikë e rëndësishme në prapavijën e Skënderbeut dhe mbi të gjitha që do të shërbejë edhe si rregullator i financave për Skënderbeun.

DËMTIMET – Por nuk është vetëm Shala ai që shqetëson Skënderbeun dhe Julian Ahmatajn. Janë të shumtë lojtarët që kanë shfaqur probleme në këtë fillimsezoni dhe duket se po kërkojnë kohë për rikuperim. Mund të quhen me fat, pasi edhe këtë herë në ndihmë bardhekuqve u ka ardhur pushimi i kampionatit për shkak të kombëtares dhe kjo me shumë mundësi do të gjejë të rikuperuar disa prej tyre.
MARA3
Ahmataj dhe stafi po bëjnë çmos për të rikuperuar Uerdi Marën, pasi është një lojtar i rëndësishëm për organikën bardhekuqe. Mara ka pësuar një dëmtim në rrëzë të kofshës dhe për nga rasti i dëmtimit shihet si një thikë me dy presa që edhe mund të rikuperohet shpejt, por edhe mund të zgjasë në kohë. Nga ana tjetër Remi Dujardin ka filluar vrapimet dhe pritet që të bashkohet me grupin ashtu si dhe Govori. Trajnerin e shqetëson gjithashtu edhe gjendja e Randit që duket se do të mungojë edhe për disa ditë. Limiti është ndeshja e radhës me Bylisin prandaj kërkohet rikuperim për një pjesë të mirë të titullarëve, rikuperim që nëse nuk vjen do të ishte problem për Skënderbeun në një ndeshje delikate.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"