“Luftë” brenda kupolës së KOKSH-it, presidenti Bezhani dhe sekretari Bello kërcënojnë hapur njëri-tjetrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2020 | 0:30

“Luftë” brenda kupolës së KOKSH-it, presidenti Bezhani dhe sekretari Bello kërcënojnë hapur njëri-tjetrin

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është përfshirë në një konflikt të ashpër mes presidentit Viron Bezhani dhe sekretarit të KOKSH-it Stavri Bello.

IMG_8273

Të dy zyrtarët e lartë të KOKSH-it hedhin akuza për abuzime me funksionet përkatëse duke shkuar deri në ofendime të rënda ndaj njëri-tjetrit.

Për “RTSH”-në Bezhani deklaron se Prokuroria ka nisur procedimin penal kudër sekretarit Bello për shpërdorim të detyrës, ndërkohë nuk kursen as akuzat ndaj vartësit të tij.

Bezhani

“Nuk e kuptoj ku e gjen guximin ky njeri. Unë kam bërë denoncim sepse nuk po arrij të hyj në institucionin ku ushtroj detyrën time. Sot gjeta derën të mbyllur për të hyrë në zyrën time. Lajmërova policinë që isha te dera. Erdhi policia, filmuan që isha te dera dhe nuk e hapnin. Shkuam e bëmë denoncimin sipas ligjeve që ka shteti shqiptar. Unë nuk e kuptoj ku e gjen këtë guxim ky njeri. Unë do të kisha hyrë një mijë herë me forcë, nuk më ndalon njeri. Por, këto janë dredhitë e një njeriu të poshtër që po bën 100 dredhi për të mbajtur karrigen, është një turp. Është një turp edhe për mua që nuk e paskam dalluar këtë njeri që arrin në veprime të tilla. Ai ka nevojë të ulet me mua të kuptojmë se kush ka shkelur ligjin. Prokuroria ka filluar çështje penale për Bellon, nuk është normale por është ligjore”, deklaroi president i KOKSH-it Bezhani.

Ndërkohë, Bello shprehet se Bezhani ka kërcënuar me sharje për të hyrë brenda në zyrë, ndërsa kërcënoi se së shpejti do të thirret Asambleja e Jashtëzakonshme e KOKSH-it për të nisur procedurën e shkarkimit të kreut të institucionit olimpik shqiptar Viron Bezhani.

stavri bello

“Situata nuk është aspak e këndshme. Ai ka tentuar të hyjë me forcë në institucion. Zoti Bezhani ka qenë bashkë me sekretarin e tij, të cilin nuk e njeh askush dhe kanë goditur derën me grushta. Janë dëgjuar të shara. Ka vendim për pezullimin e tij. Janë mbledhur me shumë se 2/3 e firmave sipas rregullores për Asamblenë. Mendoj se zgjidhja institucionale është gjëja më e mire, qoftë kjo për largimin e kujtdo. Dhuna mbi administratën nuk justifikon askënd, nuk është normale. Nëse ka probleme me bordin, janë institucionet përkatëse ku gjendet zgjidhja. Mendoj se stafi duhet të lihet të punojë se jemi në punë për delegacionin dhe marrjen e masave për ftesat e mundshme për Tokio 2020”, përgjigjet Bello.

Kjo situatë dëmton akoma më shumë imazhin e vendit tonë, i cili këtë vit do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"