Lufta për titullin, Reali dhe Barcelona “luajnë” me arbitra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2020 | 17:40

Lufta për titullin, Reali dhe Barcelona “luajnë” me arbitra

Më mirë vonë sesa kurrë. Barcelona e ka kuptuar se futbolli i viteve të fundit nuk luhet vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Në këtë fund sezoni të kampionatit spanjoll, katalanasit kanë vendosur që të ngrenë zërin për arbitrimin dhe për përdorimin e teknologjisë duke lënë të kuptohet se po ndihmojnë Realin e Madridit në garën për titullin kampion.

Ramos-Pike

Të gjithë i janë bashkuar doktrinës “Pike”, i cili ishte i pari që pas dy ndeshjeve të para ngriti zërin dhe foli kundër arbitrimit. “Të gjithë e kemi parë çfarë ka ndodhur në ndeshjet e fundit. Do të jetë shumë e vështirë që ta fitojmë këtë kampionat sepse Reali i Madridit nuk do të lërë pikë”, tha mbrojtësi duke lënë të kuptohet se “Galaktikët” do të ndihmohen nga arbitrat. Por polemikat arritën majat mbrëmjen e së dielës kur presidenti Bartomeu u tregua më i drejtpërdrejtë.

Në stadiumin “La Ceramica”, pavarësisht se nuk e përmendi në asnjë moment Realin e Madridit, tha se VAR-i po ndihmon disa skuadra. “VAR nuk po sjell atë që të gjithë prisnim. Që nga momenti kur u ndaluan kampionatet dhe në rikthimin e tyre ka pasur skuadra që janë favorizuar dhe janë penalizuar nga VAR-i. Teknologjia duhet të ndihmojë arbitrin, por shumë herë e fut në disa situata të pakuptueshme”, tha Bartomeu.

PRESION ARBITRAVE – Barcelona dëshiron që t’ia bëjë jetën më të vështirë Realit të Madridit në këto ndeshje të mbetura dhe kërkon që me anë të këtyre deklaratave të intimidojë arbitrat dhe t’i vërë ata në presion dhe në situatë ku të mos fërshëllejnë menjëherë për Realin e Madridit, por të mendohen dy herë. Kjo është strategjia që po ndjekin në Katalonjë dhe pas çdo sfide që fiton Reali i Madridit sulmojnë arbitrat.

Thuajse të gjithë kanë dalë në deklarata kundër xhaketave të zeza. Duke filluar nga Vidal në rrjetet sociale, Riki Puxh, Kike Setien dhe të tjerët. Pike nuk u ndal as gjatë ndeshjes ndaj Vijarealit teksa ironizon në momentin kur anulohet goli i Mesit për pozicion jashtë loje. Edhe Kike Setien reagoi ashpër ndaj arbitrimit. Dukej si një sulm i përqendruar për t’i prishur punë Realit të Madridit dhe për të ndërlikuar ecurinë e tyre në këtë fund kampionati.

REALI S’PËRGJIGJET – Reali i Madridit nuk ka ndërmend që të bjerë në kurthin e Barcelonës dhe është i qetë përballë këtyre deklaratave. Lojtarët, stafi dhe drejtuesit kanë vendosur që të heshtin dhe të përgjigjen në fushën e lojës. Zinedin Zidan nuk ka ndërmend që të merret me polemika të tilla. “Jam shumë i mërzitur që flitet shpesh për arbitrat, ndërkohë që ne i meritojmë ndeshjet në fushën e lojës”, tha Zidan pas sfidës me Bilbaon.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"