Lufta për fanellën në sulm/ Rei Manaj sfidon Breithueitin, ja të paprekshmit dhe të skarcuarit e trajnerit Kuman

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2021 | 21:45

Lufta për fanellën në sulm/ Rei Manaj sfidon Breithueitin, ja të paprekshmit dhe të skarcuarit e trajnerit Kuman

Merkatoja do të mbyllet për dy javë, por Barcelona ia doli që të shpëtonte rrezikun e parë me federimin e futbollistëve Erik Garsia, Memfis Depaj dhe Rei Manaj, pasi Xherard Pike uli rrogën. Por, Joan Laporta ka ende punë për të bërë në mënyrë që të limojë organikën për sezonin 2021-2022, të paktën deri në janar. Ronald Kuman ka në dispozicion 32 futbollistë dhe gazeta “MARCA” ka provuar t’i ndajë në tri kategori, ata që e kanë vendin e sigurt, ata që janë në dyshim për të ardhmen dhe ata që do të largohen. Mes tyre është edhe Rei Manaj, i cili ende nuk e ka të qartë dhe të sigurt vendin te Barcelona.

manaj

PORTA – Ky është reparti më i qetë dhe ku nuk priten ndryshime. Pavarësisht se u duk sikur Neto ishte në merkato dhe do të largohej, dëmtimi dhe pasiguria e Ter Shtegenit bëri që klubi ta nxirrte nga merkatoja. Braziliani do të jetë portieri i dytë, ndërsa as Injaki Penja nuk lëviz tani për tani.

MBROJTJA – Ky repart është i tejmbushur me futbollistë. Me afrimin e Emersonit dhe Erik Garsias, por edhe largimet e Todibos dhe Xhunior Firpos kanë mbetur 10 lojtarë. Umtiti nuk do të qëndrojë, ndërsa për Lenglenë po kërkohet një destinacion. Për momentin nuk ka asgjë interesante. Të paprekshmit janë Dest, Pike, Arauho, Mingeza dhe Alba. Në ekip do të integrohet edhe Balde. Kuman ka në dispozicion dy lojtarë të djathtë si Emersoni dhe Dest, me amerikanin që mund të luajë edhe majtas. Edhe Mingeza mund t’i bëjë të dyja rolet si në qendër dhe në krah.

MESFUSHA – Tani dihet që Barcelona e ka shumë të vështirë që të bëjë blerje, por Kuman do patjetër një mesfushor. Fakti që dështuan për Vajnaldumin dhe Ilaiksin që kërkon të largohet, ndërlikojnë planet. Për më tepër Pjaniç nuk është pjesë e planeve dhe lojtarët e palëvizshëm janë Buskets, De Jong, Pedri dhe Serxhi Roberto. Riki Puxh do të integrohet ndonjëherë, ndërsa befasia është Kutinjo. Braziliani mund të qëndrojë te Barcelona edhe këtë sezon.

SULMI – Kuman ka kërkuar edhe një sulmues tjetër, pavarësisht se ka në dispozicion 8. Disa prej tyre janë të dëmtuar si Ansu Fati, Aguero apo Dembele. Nuk dihet ende kur do të rikthehen. Kojado, Breithueit dhe Manaj janë në merkato dhe askush nuk është se pëlqehet marrëzisht nga Kuman. Sigurisht që holandezi ka pasur fjalë të mira për danezin pas ndeshjes së parë, por edhe bomberi shqiptar ka bërë paraqitje pozitive në fazën përgatitore. Kështu që të paprekshmit dhe të vetmit të disponueshëm për të janë Depaj dhe Grizman.

tab

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"